Doktoratura
DR.SILVANA KALAJA
1 – HYRJE
Diabeti mellitus përfaqëson një problem shëndetësor publik jo vetëm për shkak të prevalencës së lartë dhe kronicitetit të tij por kryesosht për shkak të origjinës së komplikacioneve makrovaskulare dhe mikrovaskulare me rrezik për jetën. Këto komplikacione janë të heshtura dhe të padiagnostikuara derisa avancojnë në stade të përparuara. Këto komplikacione shpesh shfaqen shumë vite përpara diagnozës së diabetit mellitus (9).
Retinopatia diabetike është komplikacion i zakonshëm i sëmundjes së diabetit mellitus dhe pavarësisht ekzistencës së trajtimeve efektive, mbetet një nga shkaktarët kryesorë të humbjes së shikimit (10). Retinopatia diabetike karakterizohet nga ndryshime progressive graduale në qarkullimin mikrovaskular retinal, që çon në zona të retinës të paperfuzionuara, rritje të përshkueshmërisë vaskulare dhe proliferim intraocular patologjik të enëve retinal. Komplikacionet e shoqëruara me rritje të përshkueshmërisë vaskulare quhen edema makulare dhe komplikacionet e shoqëruara me neovaskularizim të pakontrolluar quhen retinopati diabetike proliferative. Këto komplikacione çojnë në humbje të rënda pamjes deri në verbëri (11).
Përmes studimeve cross – sectional dhe prospektive janë identifikuar disa faktorë risku të cilët ndikojnë në shfaqjen dhe zhvillimin e retinopatisë diabetike si: kohëzgjatja e diabetit, presioni arterial sistolik, kontrolli i glicemisë (12, 13).
Kujdesi i duhur medikamentoz dhe oftalmologjik, bën të mundur që rreth 90% e humbjes së pamjes si rezultat i retinopatisë diabetike proliferative mund të parandalohet (14). Deri në zbulimin e një kure shërimi për diabetin, kujdesi parësor klinik e vë theksin në parandalimin e humbjes së pamjes. Kjo kërkon identifikimin e hershëm, klasifikimin e saktë dhe trajtimin në kohë të retinopatisë diabetike dhe të faktorëve të saj të riskut.
Prandaj midis komplikacioneve të diabetit, retinopatia diabetike mbetet një nga më të rëndësishmet për tu monitoruar jo vetëm sepse është një nga shkaqet kryesore të sëmundshmërisë, por edhe sepse prania e trajtimit efektiv me fotokoagulimin me lazer bën të mundur evitimin e humbjes së shikimit nëse RD zbulohet herët.
2 - ANATOMIA E SYRIT
Kokërdhoku i syrit përfaqëson një strukturë të rrumbullakët, me diametër 2.5 cm që vendoset në zgavrën e syrit (orbita). Syri lidhet me kockën nëpërmjet një numri ligamentesh. Midis tij dhe kockës ndodhet indi dhjamor që shërben për të mbrojtur syrin nga dëmtimet. Syri ndahet nga indi dhjamor nga një qese membranore, që e lejon atë të lëvizë lirshëm (15).
Syri ndërtohet nga tri shtresa bazë, të cilat nga jashtë-brenda, sipas radhës janë:
1- Shtresa fibroze (tunica fibroza) ose e jashtme.
2- Shtresa vaskulare (tunica vasculosa) ose e mesme-uvea.
3- Shtresa nervore ose e brendshme (tunica interna) – retina.
Shtresa fibroze luan rolin e një kapsule fibroze që mbron strukturat e brendshme dhe delicate të syrit. Ajo përbëhet nga sklera dhe kornea.
Shtresa e enëzuar (uvea) përbëhet nga koroidea, trupi ciliar dhe irisi.
Shtresa e brendshme e kokërdhokut është retina, e cila ka një shtresë qelizash të pigmentuara, të cilat gjenden ngjitur me koroiden (15).
2.1. Retina
Kjo është shtresa e brëndshme e syrit. Retina optike përbën një strukturë shumë të specializuar me funksion fotoreceptor. Ajo zhvillohet nga neuroektoderma dhe përfaqëson një “zgjatje” të trurit. Sipërfaqja e jashtme e saj është në kontakt me koroiden, ndërsa sipërfaqja e brendshme e saj me trupin qelqor.
Në aspektin anatomik retina përbëhet nga disku optik, që përkon me vendin e retinës ku del nervi optik dhe ku mungojnë qelizat fotoreceptore dhe ato nervore, macula lutea,e cila vendoset në krah të diskut optik. Kjo zonë ka pamjen e një njolle ku predominojnë qelizat kone dhe pakësohen qelizat në formë shkopi. Në qendër të saj gjëndet fovea centralis, e cila përfaqëson zonën e retinës ku ka vetëm kone të vendosura në formën e një pakete. Retina përbëhet nga retina optike dhe retina qorre(e verbër). Retina optike në nivel të ora serrata humbet qelizat fotoreceptore.