Rektorati
Historiku i Universitetit të Mjekësisë
Universiteti i Mjekësisë, Tiranë (UMT) është qendra e madhe mësimdhënëse publike e formimit universitar dhe pasuniversitar në shkencat mjekësore në Republikën e Shqipërisë, që ofron espertizën më të denjë profesionale në didaktikë, kërkim shkencor dhe në përgatitjen e specialistëve të të gjitha fushave të mjekësisë.
Universiteti i Mjekësisë, Tiranë është një pjesë e rëndësishme e historisë shkencore, intelektuale dhe kulturore të vendit. Ky Institucion i Arsimit të Lartë Publik, ndonëse i krijuar para 3 vjetësh, mbart traditën shumë të vyer rreth 64 vjeçare që ka zanafillën e tij në krijimin e Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë me themelimin e Institutit të Lartë të Mjekësisë në vitin 1952, i cili në vitin 1957 formoi Fakultetin e Mjekësisë. Kontributi dhe eksperienca e figurave të ndritura të shkencës mjekësore shqiptare si Prof. Fejzi Hoxha, Prof. Nikolla Dushniku, Prof. Llambi Ziçishti, Prof. Ferdinand Paparisto, Prof. Petrit Selenica, Prof. Petro Cani, Prof. Petrit Gaçja, Prof. Pirro Goda, Prof. Ylli Popa, Prof. Pëllumb Bitri, Prof. Selaudin Bekteshi, Prof. Koço Gliozheni, Prof. Besim Elezi, Prof. Bajram Preza, Prof. Kristo Pano, e shumë e shumë të tjerë, të cilët kanë vënë themelet e këtij Universiteti.
Universiteti i Mjekësisë, Tiranë u themelua më datë 23.01.2013 me Vendim të Këshillit të Ministrave Nr. 48, “Për krijimin e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë (UMT)”. Krijimi i Universitetit erdhi si rrjedhojë e ndryshimeve rrënjësore në strukturat e institucioneve të arsimit të lartë publik në Shqipëri. Promovimi i Fakultetit të Mjekësisë në një Universitet publik dhe krijimi i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, ishte një nevojë e domosdoshme për përgatitjen profesionale të stafit mjekësor në Shqipëri, që të interpretojë dhe të orientojë sa më mirë transformimet dhe zhvillimet thelbësore të kohës, duke garantuar përpunimin, inovacionin, transferimin dhe vlerësimin e njohurive në avantazh të individit dhe të shoqërisë. Kjo nismë u nxit, jo vetëm nga kërkesat e kohës për zhvillimin e mëtejshëm të arsimit dhe mjekësisë shqiptare, por edhe nga dëshira për të ndërtuar një institucion arsimor cilësor që ofron një model edukimi alternativ e bashkëkohor, ndryshe nga modelet tradicionale ekzistuese.
Universiteti i Mjekësisë, Tiranë ofron një imazh të ri dhe vjen si një plotësim i kërkesës së domosdoshme të Mjekësisë Shqiptare për një menaxhim më të mirë të mësimdhënies dhe centralizim të studimeve mjekësore në një njësi të vetme dhe plotësuese. Ky Universitet publik përbën kombinimin e studimeve teorike dhe shkencore nga profesorët e nderuar me provojë shumëvjeçare, me aftësitë konkrete për t’i zbatuar në praktikë ato pranë Qendrave Spitalore Universitare të vendit.
Tradita mësimdhënëse dhe përvoja profesionale e profesorëve të nderuar janë shembulli më i mirë që Universiteti i Mjekësisë, Tiranë përcjell ndër vite. Të diplomuarit në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë janë të aftë profesionalisht dhe dinë më së miri të orientohen me nevojat komplekse të mjekësisë shqiptare. Për këtë qëllim, dy degëzimet e mendimit të Universitetit tonë, studimet teorike dhe aftësitë praktike klinike dhe para-klinike, janë të ndërlidhura ngushtë me njëra-tjetrën dhe mundësojnë përshtatshmërinë optimale për të ardhmen e studentëve tonë. Universiteti i Mjekësisë, Tiranë nuk u krijua që të jetë vetëm një kështjellë mendimi për studimet mjekësore. Përkundrazi, ky Universitet synon të jetë më i përqëndruar ndaj zhvillimeve kombëtare dhe mbarëkombëtare të shëndetësisë dhe mirëqenies së përbashkët për të qënë më pranë nevojave të vazhdueshme të pacientit, jo vetëm si institucion i arsimit të lartë, por edhe si institucion që përgatit në rradhë të parë shërues në të gjitha fushat e mjekësisë dhe të vazhdojë të krijojë premisat e duhura që t’i orientojë sa më mirë studentët e tij në kërkime të vazhdueshme shkencore për një shoqëri të shëndetshme.
Me krijim e Universitetit, në strukturën e tij u bashkuan Fakulteti i Mjekësisë dhe ish-Fakulteti i Infermierisë, të cilët u shkëputën nga struktura shumëvjeçare e Universitetit të Tiranës dhe u bënë pjesë përbërëse e pesë njësive kryesore të këtij universiteti që u ndanë, përkatësisht, në pesë Fakultete: Fakulteti i Mjekësisë, Fakulteti i Farmacisë, Fakulteti i Mjekësisë Dentare, Fakulteti i Shëndetit Publik dhe Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike.
Në kuadër të riorganizimit të Universitetit, aktualisht, Universiteti i Mjekësisë, Tiranë përbëhet nga tre Fakultete:
- Fakulteti i Mjekësisë
- Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike
- Fakulteti i Mjekësisë Dentare.
REKTORATI
Prof. Dr. XHELADIN DRAÇINI
REKTOR I UNIVERSITETIT TË MJEKËSISË, TIRANË
Prof. Dr. HEKTOR SULA
ZV. REKTOR PËR KURRIKULAT DHE MENAXHIMIN AKADEMIK
Prof. Dr. SUELA KËLLIÇI
ZV.REKTORE PËR KËRKIMIN SHKENCOR
Prof. Dr. ALBAN DIBRA
ZV. REKTOR PËR PROJEKTET, EDUKIMIN NË VAZHDIM DHE KOORDINIMIN
WEBSITE: www.umed.edu.al