Misioni dhe Filozofia
Misioni i Fakultetit të Mjekësisë, Universiteti i Mjekesise Tirane
Fakulteti i Mjekësisë (në vijim FM) synon të përmbushë misionin e tij, konform Statutit të Universitetit dhe Legjislacionit në fuqi mbi Arsimin e Lartë në RSH, në nivelin cilësor më të lartë të mundshëm. Duke vepruar kësisoj, FM bazohet dhe vepron mbi parime, por merr edhe masat e nevojshme për të vepruar në mënyrë fleksibël dhe të arsyeshme përballë nevojave dhe detyrave në modifikim të vazhdueshëm.
PROCESI MËSIMOR, Studimet universitare ...
Fakulteti i Mjekësisë (në vijim FM) synon të përmbushë misionin e tij, konform Statutit të Universitetit dhe Legjislacionit në fuqi mbi Arsimin e Lartë në RSH, në nivelin cilësor më të lartë të mundshëm. Duke vepruar kësisoj, FM bazohet dhe vepron mbi parime, por merr edhe masat e nevojshme për të vepruar në mënyrë fleksibël dhe të arsyeshme përballë nevojave dhe detyrave në modifikim të vazhdueshëm.
PROCESI MËSIMOR
Studimet universitare
Mësimdhënia cilësore dhe tërheqëse mbështetet mbi kërkimin shkencor, formimin profesional dhe aktivitetin klinik të pjesëtarëve të stafit akademik të FM. Mësimdhënia përçon një standard të padiskutueshëm niveli specialistik të diturisë; ajo kultivon kompetencën sociale, stimulon kuriozitetin shkencor, duke e familjarizuar studentin me metodat shkencore dhe duke i prezantuar atij mënyrën e të menduarit dhe të investiguarit shkencor. Trajnimi i shprehive klinike dhe i përftimit të pavarur të informacionit, bashkë me dhënien e njohurive sistematike, janë në raport të përshtatshëm dhe i lënë hapësirën e nevojshme mëkimit të njëkohshëm të një etike dhe kulture mjekësore. Programet e FM në mjekësi, stomatologji dhe farmaci, janë konceptuar me qëllim që këto orientime akademike të përmbushen tërësisht, bashkë me synimet specifike të mësimdhënies. Brendapërbrenda këtij kuadri, stafit akademik i sigurohen hapësirat e
nevojshme për shpalosjen e individualitetit në mësimdhënie. FM zgjidhet nga studentët e territoreve shqipfolëse për arsye të stafit akademik të tij; strukturës së kristalizuar të mësimdhënies dhe kurrikulës; hapësirave të gjera të mësimit teorik dhe aplikativ në laboratore dhe struktura spitalore, partnere dhe të bashkangjitura me FM.
Studimet universitare
FM koncepton dhe mbështet programe specifike të edukimit akademik pasuniversitar. Këto të fundit, duke marrë në konsideratë spektrin e gjerë të aktiviteteve specialistike dhe nënspecialistike, organizohen në formë shkollash të specializimit në mjekësi.
Edukimi i vazhdueshëm
FM mbështet dhe organizon kurse të edukimit të vazhdueshëm për mjekët si edhe për profesionistë që shërbejnë në sistemin shëndetësor publik dhe në kërkimin shkencor mjekësor. Misioni i stafit akademik të FM konsiderohet i përmbushur nëse studentët e cikleve universitare, pasuniversitare dhe në edukim të vazhdueshëm, përftojnë dhe aplikojnë në mënyrë krijuese, kritike dhe të arsyeshme njohuritë e përftuara rishtazi; në shërbim të publikut të gjerë.
KËRKIMI SHKENCOR
Kërkimi shkencor në FM synon zgjerimin e njohurive mjekësore si edhe kuptimin dhe aplikimin e mekanizmave patofiziologjikë. Njëkohësisht ky kërkim shkencor tenton nga ana aplikative t’iu japë përgjigje pyetjeve që lindin prej nevojave praktike të mjekësisë dhe shërbimeve shëndetësore në territorin e RSH e më gjerë. Qëllimi dhe fryma që udhëheq të gjithë aktivitetin shkencor është synimi
drejt të vërtetës dhe pohimi vetëm i kësaj të vërtete, bashkë me adoptimin e një sjelljeje etikisht të justifikuar dhe të përgjegjshme ndaj njeriut dhe ligjeve të natyrës. Brenda përbrenda këtyre kufijve, FM garanton liri të kërkimit shkencor. FM përpiqet që rezultatet e kërkimeve shkencore të bëhen të njohura për publikun e gjerë dhe komunitetin shkencor. FM siguron me mjetet që disponon,
hapësirat e nevojshme për kërkimin shkencor. FM synon drejt kooperimit dhe qëmtimit spontan të vatrave kërkimoro-shkencore, pa penguar edhe vënien në jetë të programeve afatgjata dhe paraprakisht të strukturuara. FM siguron një mjedis të përshtatshëm debati shkencor dhe kërkimor për studentët pasuniversitarë dhe doktorandët. Duke siguruar lirinë e mendimit dhe kërkimit shkencor, FM përvijon edhe gjeneratat e reja të kërkuesve shkencorë, të cilët mbështeten falë supervizionit dhe drejtimit shkencor objektiv dhe pragmatik.
SHËRBIMET MJEKËSORE
Stafi i FM ofron shërbime në fushat e parandalimit, diagnostikimit dhe trajtimit terapeutik, në dobi të të sëmurëve, të publikut të gjerë dhe të sistemit shëndetësor në përgjithësi. Duke vepruar kështu, ky staf orientohet nga perspektivat moderne shkencore dhe mjekësore, dhe gjatë aktivitetit akademik apo aplikimit të të rejave të fundit të shkencës, stafi i FM operon edhe si pikë referimi
apo ofrues ekspertize, si për administratën e shërbimeve mjekësore ashtu edhe për publikun e gjerë. Përqafimi i një qëndrimi dhe sjelljeje të përgjegjshme, etikisht të justifikuar dhe empatike, ndaj të sëmurëve dhe shoqërisë në përgjithësi, mbetet parim suprem që udhëheq krejt punën teorike dhe praktike të stafit të FM.