Doktoratura
DR.IMRANE BLYTA
1. HYRJA
Psoriaza është sëmundje e shpeshtë, kronike, gjenetikisht e determinuar, imunologjike inflamatore, dhe proliferative e lëkurës me ecuri dhe pasqyrë klinike të paparashikuar. Ndryshimet më të shpeshta të lëkurës janë lezionet eritemosqvamoze mirë të kufizuara, me formë dhe madhësi të ndryshme. Thonjtë janë shpesh të atakuar kurse ndryshimet në nyje lajmërohen në 5-7 % të sëmurëve nga psoriaza.
Emërtimi psoriazë rrjedhë nga fjala greke psora që do të thotë kruarje. Përshkrimi i parë i ndryshimeve që mund të përfaqësojnë psoriazën është dhënë në pjesën Corpus Hippocraticum. Supozohet se autorë i këtij punimi ka qenë Hipokrati. Të dhënat e para të sakta datojnë nga fillimi i shekullit 19, të cilat i ka përshkruar autori anglez Robert Willan (1757-1812). Më 1841 dermatologu austriak Ferdinand von Hebra (1816-1880) pa mëdyshje ka treguar se dy entitetet e Willanit janë një sëmundje gjë që ka shkaktuar mjaftë konfuzion për shkak të llojllojshmërisë në distribuim, manifestimin morfologjik, shpërndarjen, mënyrën e zgjerimit dhe involucionin e lezioneve(1-4).
Psoriasis vulgaris është një sëmundje e përhapur në Kosovë e në Shqipëri. Sipas të dhënave të klinikës së Dermatologjisë të Q.S.U.T. “Nënë Tereza”, për sa i përket shpeshtësisë të kësaj sëmundje, renditet e dyta pas ekzemës duke përbërë 9-10 % të pacientëve të shtruar pranë këtij shërbimi.
Incidenca e saj është e ndryshme dhe varet nga ndikimi i mjaft faktorëve të tillë si p.sh.: klimaterik (është më pak e shpeshtë në zonat tropikale); gjeografik (konstatohet më shpesh në Evropën Veriore në raport me atë Meridionale) etj.
Shpeshtësia e sëmundjes, moshat e ndryshme të prekjes prej saj, format klinike, graviteti i tyre, lidhja e saj me patologji të ndryshme si dhe mjekimet bashkëkohore, më nxitën të studioj këtë sëmundje si në aspektin epidemiologjik ashtu edhe klinik, edhe për faktin se kjo gjë studiohet për herë të parë në Kosovë.
2. QËLLIMI I PUNIMIT
Qëllimi themelor i punimit është hulumtimi i karakteristikave epidemiologjike dhe klinike të psoriazës vulgare në Kosovë.
3. MATERIALI DHE METODAT
Janë marrë në studim rastet e hospitalizuara në Klinikën Dermatovenerologjike të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Në studimin dhe realizimin e këtij punimi është përdorur metoda epidemiologjike e studimit të problemit në mënyrë retrospektive dhe prospektive. Janë përdorur indikatorët relevant epidemiologjik gjatë studimit, duke përdorur metodën statistikore të studimit. Hulumtimi ka përfshirë aspektin klinik retrospektiv dhe prospektiv. Janë hulumtuar:
1. Aspektet epidemiologjike të psoriazës vulgare te rastet e hulumtuara si: vendbanimi, struktura moshore, struktura gjinore dhe struktura shkollore.
2. Aspektet klinike të psoriazës vulgare si sëmundje: korrelacioni i aspektit klinik të psoriazës vulgare me distribuimin e ndryshimeve kutane dhe ekstenzionin e tyre, format e veçanta të lidhura për lokalizim, mosha kur është paraqitur psoriaza, mosha mesatare e paraqitjes, përfshirja e thonjve me ndryshime psoriatike, përfshirja e artikulacioneve, shoqërimi i psoriazës me prurit, efektet kronobiologjike, komorbiditeti dhe aspektet e trajtimit të psoriazës vulgare.
3. Korrelacioni i aspektit klinik të psoriazës vulgare me faktorin etiologjik dhe faktorët provokues (stresi, infeksioni, medikamentet, faktorët e ambientit të jashtëm etj).
4. Karakteristikat klinike/laboratorike të psoriazës vulgare: statusi hematologjik, statusi biokimik dhe ekzaminimet mikrobiologjike.
5. Testimi i strukturës së personalitetit te pacientët me psoriazë vulgare sipas testit MMPI-201.
Janë përzgjedhur pacientët e trajtuar në mënyrë stacionare (n=100), prej të cilëve femra (n=44) dhe meshkuj (n=56), nga janar 2009 deri më dhjetor 2011 tek të cilët është vendosur diagnoza e psoriazës vulgare. Grupi kontrollues përbëhej nga numri i njejtë i rasteve (n=100), prej të cilëve femra (n=44) dhe meshkuj (n=56). Është përpiluar një skedë e veçantë me rubrika e përdorur për të gjithë individët e përfshirë në studim. Testimit të personalitetit sipas testit MMPI (Minesota Inventari Multifazik i Personalitetit) i janë nënshtruar 60 raste me psoriazë dhe 60 raste nga grupi kontrollues. MMPI është inventar multidimenzional i personalitetit i cili përbëhet prej dhjetë shkallëve klinike dhe 4 shkallëve kontrolluese, test psikologjik i cili vlerëson tiparet e personalitetit dhe psikopatologjinë. Ka për qëllim të testojë personalitetet për të cilat dyshohet se kanë vështirësi të shëndetit mendor ose çrregullime tjera klinike.
Rastet i janë nënshtruar të dhënave klinike, laboratorike si dhe konsultave me specialist të fushave tjera. Të sëmurët me psoriazë vulgare iu nënshtruan ekzaminimeve laboratorike në laboratorin e Klinikës së Dermatologjisë, ekzaminimeve biokimike në Qendrën diagnostike pranë QKUK dhe laboratorin Tirana si edhe ekzaminimeve mikrobiologjike në Institutin kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK).
Prezantimi i të dhënave është bërë përmes tabelave dhe grafikëve. Përpunimi i të dhënave është bërë me paketin statistikor InStat 3. Prej parametrave statistikor janë llogaritur indeksi i strukturës, mesatarja aritmetike, devijimi standard, vlera minimale dhe maksimale. Për testimin e të dhënave parametrike është përdorur t-testi, ndërsa për të dhënat joparametrike testi ekzakt i Fisherit, X2-testi, Mann Whitney testi dhe Kruskal Wallis testi. Dallimi është sinjifikante nëse P<0.05.