Doktoratura
DR. Ferizat Dika – Haxhirexha
TEMA : VEÇORITË EPIDEMIOLOGJIKE DHE KLINIKE TË INFEKSIONEVE STREPTOKOKSIKE TË GRUPIT A TEK FËMIJËT E MOSHËS SHKOLLORE
HYRJE
Streptokokët e grupit A janë model i patogjeneve ekstracelulare gram pozitive që zakonisht kolonizojnë fytin ose lëkurën dhe janë përgjegjëse për një numër të konsiderueshëm të infeksioneve supurative si dhe pasojave josupurative të tyre. Ata llogariten se janë shkaktarët kryesor dhe direkt për faringitetet, impetigon, ethet reumatike si dhe
glomerulonefritin akut1.
Si forma patogjene këto mikroorganizma kanë zhvilluar një mekanizëm virulent kompleks me qëllim të shmangies së mbrojtjes të amvisit.
Ndonjëherë infeksionet me SGA, mund të sjellin si rezultat zhvillimin e sëmundjeve invazive si sepsa, fasciitisi nekrotizues dhe sindroma e ngjashme me shokun toksisk2,3.
Spektri i sëmundjeve të shkaktuara nga SGA mund të ndahet në sipërfaqësore, invazive, të provokuara nga toksinet dhe sëmundjet pas infeksionit e gjitha kjo pasojë e asaj se SGA posedojnë shumë faktorë virulent që janë përgjegjës për potencialin e madh patogjen të tyre4,5.
Sëmundjet më të shpeshta të shkaktuara nga SGA janë faringiti dhe piodermia të cilat hasen më së shpeshti tek fëmijët6,7,8.
Koncepti për lloje të veçanta të streptokokut për fytin dhe lëkurën vjen nga dekada të tëra studimesh epidemiologjike, nga të cilat është bë evidente se ka serotipe streptokokësh të grupit A, me tendencë për të shkaktuar infeksione të fytit, dhe ngjashëm, ka serotipe të cilat shpesh shoqërohen me impetigo. Në të kaluarën ata kanë qenë shkaktare të shpeshta të sepsës puerperale si dhe etheve tek foshnjet9,10
Sot grupi i streptokokut A është përgjegjëse për sindromën e shokut toksik
streptokoksik, dhe kohëve të fundit ai e ka fituar epitetin si baktere “ mishngrënëse “ e cila invadon indet e buta dhe lëkurën ndërsa në rastet e rënda indet apo gjymtyrët e përfshira shkatërrohen plotësisht11,12
Grupi A i streptokokut është studiuar për rolin e tij sinjifikativ në zhvillimin e pasojave të infeksioneve poststreptokoksike, duke përfshirë ethet reumatike akute, glomerulonefritin akut, dhe artritin reaktiv. Ethet akute reumatike dhe sëmundjet akute reumatike të zemrës janë sekuelat autoimune më serioze të infeksioneve streprokoksike të grupit A dhe ato përfshijnë fëmijët në tërë botën duke shkaktuar në këtë mënyrë gjymtimin apo edhe vdekjen e tyre.
Në shekullin e kaluar u shënua një rënie evidente sa i takon incidencës së infeksioneve serioze streptokoksike në vendet e zhvilluara, por nga vitet 1980 një rritje e ndjeshme e infeksioneve me SGA si dhe një riaktualizim i etheve akute reumatike (ARF) u vërejt në shumë vende të zhvilluara, gjë që zgjoi interesimin rreth këtyre infeksioneve dhe streptokokeve13. Këto të dhëna riaktualizuan njëkohësisht edhe rëndësinë e madhe që duhet të
kenë këto infeksioni në shëndetin publik të këtyre vëndeve14,15.
Sot llogaritet se në gjithë botën ka mbi 18 milion persona të cilët momentalisht vuajnë nga infeksione serioze të shkaktuara nga SGA me 1,7 milion raste të reja çdo vit si dhe
500,000 vdekje16.