Doktoratura

Korrigjimi i anomalive tё ndryshme nёpёrmjet protetikёs fikse- DORIS MINGOMATAJ

PARATHENIE
Në praktikën e pёrditshme protetike, mënyrat e zëvendësimit të defekteve dentare janë të
njohura, me protezat e thjeshta, me pllakë, metalike, protezat fikse e deri te implantet. Jo
rrallë, dëmtimet dhëmbore shoqërohen me çrregullime ose me deformime të harqeve
dentare, të raporteve ndërmjet nofullave, të funksionit muskular e tё artikulacioneve
temporo-mandibulare, si dhe të indeve pёr rreth. Kjo sjell jo vetёm ndryshime funksionale
tё ndjeshme, por edhe estetike, e, pse jo, edhe problematikё psikologjike.
Vështirë të gjesh fusha të panjohura dhe të “pa shkelura” në praktikën stomatologjike, kjo
vjen dhe si rrjedhojë e incidencёs sё jashtёzakonshme tё defekteve tё sistemit
dentomaksilar. Sot vlerësohet më tepër protetika fikse, kur kjo ёshtё e mundur, si nga
mjekët dhe nga pacientët. Nё studimin tim jam pёrpjekur tё merrem me raste deri diku
specifike si diçka e veçantё, duke u mbёshtetur nё përvojën e autorёve vendas e tё huaj.
Ky punim ka karakter prospektiv. Ai mbёshtetet nё bashkёrendimin e tё dhёnave klinike,
laboratorike, radiologjike e nё avancimin e vazhdueshёm teknologjik, pёr t’iu pёrgjigjur
kёrkesave nё rrijtje tё pacientit. Ai ёshtё dhe fryt i pёrvojёs sё mjekёve tё huaj dhe
dentistrisё shqiptare tё ballafaquar me arritjet bashkёkohore nё kёto fusha.
Jam munduar qё puna e studimi tё pёrshkohen nga parimi bazё i çdo punimi, nё mёnyrё qё
ai tё marrё vlera dhe tё dhёnat e pёrftuara tё shihen tё pashkёputura nga ato klinike dhe
eksperienca stomatologjike nё vend. Ndihmesa e kolegёve tё tjerё, nё mbёshtetje tё
specialiteteve tё veçanta, ka qenё serioze, ndaj ju mbetem shumё mirёnjohёse.
Nё trajtimet protetike nuk ёshtё vendimtar vetёm fakti i zёvendёsimit tё numrit tё dhёmbёve
tё munguar, por dhe vlerёsimi e rikrijimi i okluzionit nё tёrёsi (d.m.th. funksioni, fonetika,
estetika dhe brenda mundёsive e brenda raporteve fiziologjike edhe zvogёlimi ose
mёnjanimi i shqetёsimeve psikologjike tё krijuara). Shumё autorё trajtojnё dhe reaksionin
psiqik tё niveleve tё ndryshme qё pёrjeton pacienti gjatё dёmtimeve tё ndryshme. Gjatё
punёs time e kam hasur shpesh kёtё fakt, pёr shkak se dhёmbёt ballorё pёrcaktojnё
personalitetin visual, e gjithashtu nuk ёshtё pёrjashtuar edhe rregulli i Godon-it pёr ta
arritur balancimin e okluzionit.
Tematika e zgjedhur prej meje mё bind se nesёr do tё jetё e vjetёruar, por çdo eksperiencё
pёrfaqёson vlerё tё veçantё. Dhe çdo pёrpjekje pёr tё ecur me ritmin e kohёs, sado modeste
tё jetё, vlen dhe bёhet pёr t’i shёrbyer mё cilёsisht pacientit.
Jam e ndёrgjegjёshme se çdo zbulim i ri ose aplikim i teknologjive gjithnjё e mё moderne
krijojnё problematika tё reja, qё na ndёrgjegjёsojnё pёr faktin se sa pak dimё realisht.
Ende sot pёrkujdesja kryesore dentare nё princip mbёshtetet nё dentistrinё konservative.
Por ky trend nuk pёrjashton zgjerimin e disiplinave tё tjera dentare qё kanё avancuar dhe
do avancojnё pa ndёrprerje, pёrkundrazi.
Gjykoj se, pёrvetёsimi sa mё i mirё i njohurive qё do pёrdoren nё sektorin aplikativ qё
zgjedh mjeku dhe kuptimi i thellё i problematikёs, mbёshteten mbi njohuritё aktuale dhe
bёhen nxitje e bazё pёr mundёsinё e realizimit tё ёndrrave tё sё ardhmes pёr kёdo.
 
1. HYRJE
1.1 Historiku i Punimeve Fikse
1.1.1 7000 Para Erës së Re – Era e “Bow Drill”
Rregullimi i dhëmbëve e ka zanafillën në luginёn e Indus që kalon nё Indi dhe në Pakistan
[43]. Ata që do tё bëheshin dentistёt e parë në histori ishin mjeshtra zejtarë të punimit të
rruazave. Ata pёrdorën turjelat me hark “Harku çpues” pёr tё kuruar problemet e
dhёmbёve. Në këtë kohë shfaqen për herë të parё dhe asistentёt dentarë, të cilët kishin
asokohe për detyrë të mbanin krahёt e kёmbёt e atyre që mjekoheshin padyshim në një
proçes mjaft torturues. E megjithatё edhe këto mundime ia vlenin më shumë se një jetë pa
dhëmbë.
Vizatimi i mësipërm tregon ndërtimin e një turjele të thjeshtë me hark.
1.1.2 700 Para Erёs sё Re – Urat E Para
Etruskёt ishin civilizimi i parё, prej të cilëve kemi gjurmët e pёrdorimit të urave dentare,
duke nisur rreth viteve 700 BC [6]. Gjurmë të tilla janë gjetur më pas tek Egjiptianët e
Romakët. Nё fotografinё mё poshtё shihet njё urё dentare e ngjashme e krijuar nga
Egjiptianёt. Pёr kёtё ata kanё pёrdorur tela ari pёr t`i mbajtur dhёmbёt tё bashkuar. Kjo
ёshtё, gjithashtu, e dhёna e parё e njё praktike kozmetike dentare, qё do tё bёhej e njohur
mё vonё si “bling”.
8
Por këto proçedura restaurimi ishin lënë tërësisht në harresë deri në 1810. Në këtë vit
Lafrogue dhuron ca pamje interesante, pjesa më e madhe e të cilave të çojnë tek një dentist
në Filadelfia, James Gardette, i cili jetoi në fillimet e shekullit të XIX. Ekzemplar të tillë
do t’i gjejmë sërisht tek Delabarre, më pas tek Maury (1826). Por vetëm në vitin 1856,
nëpërmjet Dwinelle, urat rishfaqen në mënyrë triumfuese. Më pas këto punime do të
shumfishohen. Përmendim emrat e Bing dhe të Bennett (1869), të M. H. Webb (1873), të
Bonwill (1873), të Richmond (1880), të Register (1881), të Parmly-Brown (1886), të Litch
(1887) dhe të Evans (1888), të cilët bënë veprat e para specifike mbi këtë çështje [13].
1.2 Historiku i Stomatologjisë në Vendin Tonë
Në vendin tonë gjurmët e veprimtarisë dentare janë relativisht të herëshme. Ato shfaqen me
punime të mjekëve të huaj gjatë luftës së parë botërore si me Hans Chirban, Ostvald
Shahovskin e Artur Hruska, të cilët kanë botuar dhe artikuj në revistat e kohës si p.sh.
Deutsche Zahnaerztliche Wochen Schrift në vitin 1933.
Para vitit 1945 në Shqipëri erdhën e punuan shumë mjekë shqiptar si K. Zografi (1921); M.
Bega (1926); A. Lako në Gjirokastër; T. Tereziu në Korçë, Q. Bobrati në Elbasan e më tej,
H. Kaduku në Shkodër, Xh. Asllani, S. Topulli, dhe A. Markariani në Tiranë, e shumë të
tjerë. E përbashkëta e tyre qendron në faktin se formimi i tyre profesional ishte europian
dhe e trajtonin pacientin thuajse në të gjitha nevojat që u paraqiteshin.
Krijimi i shkollave të mesme profesionale shëndetësore (Politeknikumi Mjekësor) ku
funksiononte dhe dega e stomatologjisë, si dhe hapja e shkollave për laborantë e infermierë
dentarë, i dhanë një shtysë serioze këtij shërbimi në Shqipëri.
Në vitin 1957, u hap për herë të parë pranë Fakultetit të Mjekësisë në U.Sh. Tiranë edhe
dega e Stomatologjisë. Përgatitja e mjekëve vendas dhe e disa dhjetra stomatologëve të
pregatitur, tërësisht apo pjesërisht, në vendet Lindore, hodhën bazat e Stomatologjisë
Shqiptare kohore. Aktiviteti i këtyre stomatologëve i ndihmuar dhe reflektuar në punimet e
tyre profesionale në shtypin përkatës si “Buletini Stomatologjik”, Revista Mjekësore e më
tej, Revista Stomatologjike formësuan më tërësisht mjekët e rinj.
9
Specializimi i tyre brenda e jashtë vendit dhe kalimi në sektorin e mësimdhënies krijoi
pedagogët, as/pedagogët, doktorët e shkencave e profesorët e parë në stomatologji.
Përmendim këtu Prof. Dr. Dh. Pojani, Prof. Dr. S. Gjini, Dr. A. Bilali në kirurgjinë
maksilofaciale, si dhe Prof. Dr. F. Toti, Prof. Dr. R. Qafmolla, Prof. Dr. F. Keraj në
protetikën e lëvizëshme e fikse, si dhe Prof. Dr. P. Kongo, Prof. Dr. A. Alushi në terapi e
sëmundjet paradontale, e deri në ditët tona me Prof. Dr. Xh. Mulo në ortodonci, të cilët u
bënë njëkohësisht ata që përgatitën një plejadë mjekësh të rinj. Me këta e shumë të tjerë, që
s´mund t´i përmend tani, u hodhën hapat profesionale në stomatologji. Sot, kur komunikimi
kombëtar e ndërkombëtar është sa i thjeshtë dhe i vyer, stomatologët tanë referojnë në
kongrese e konferenca ballkanike e europiane të çdo niveli. Botimi i teksteve dhe i
referimeve apo artikujve shkencorë, përbëjnë një bibliotekë të mirë për çdo stomatolog.
Çelja e universiteteve private, krahas atij shtetëror, krijoi mundësitë për përgatitjen e më
shumë stomatologëve me vizione e koncepte moderne profesionale, të mbështetur në
teknologjitë mjekuese e laboratorike të kohës. Sot stomatologjia ecën me rritmin e kohës
[72].
1.3 Trajtimet e Difekteve të Ndryshme me Origjinë Skeletale e
Dentare: Mendimet e Autorëve të Ndryshëm dhe Këndvështrimi Im.
Anomalitё e ndryshme qofshin kёto dentare apo skeletale, hasen shpesh nё praktikёn
klinike. Kjo incidencё e lartё e kёtyre anomalive vjen si pёr shkak trashёgimie, zakonesh e
vesesh tё ndryshme qё nё moshё tё njomё [10,21,22,70], por dhe si rrjedhim i ndryshimeve
qё pёson aparati mastikator nё harkun e jetёs [53,57,73,75,120] pёr shkak tё dёmtimeve tё
ndryshme.
Ortodoncia trajton gjerёsisht e me sukses anomali tё ndryshme qё nё moshё tё herёshme.
Ajo aplikohet gjerësisht dhe në anomalitё dentare tek adultёt e korrekton (kamuflon) njё
numёr anomalish skeletale [50,51,73,115]. Trajtimet ortognatike e nё disa raste dhe
kirurgjia plastike trajtojnё me sukses njё numёr anomalish komplekse skeletale
[13,21,67,85,91,98].
Protetika fikse, sikurse dihet e pranohet gjerёsisht, trajton e rikthen funksionin e dёmtuar nё
raste mungese tё elementёve dentare nёpёrmjet urave, por dhe ofron njё opsion trajtimi pёr
dhёmbёt qё paraqesin shkatёrrime tё mёdha e mbushje masive [29,30,33,65]. Protetika
fikse ёshtё njё trajtim i parapёlqyer nga pacientёt pёr shumё arsye, si nga funksioni i
rikthyer mё sё miri, tek estetika optimale qё ofron, por dhe pёr kohёt e moderuara tё kёtyre
proçedurave. Shpesh nё klinika paraqiten pacientё adultё me anomali tё ndryshme, qoftё se
nuk i janё nёnshtruar njё trajtimi ortodontik tё nevojshёm nё moshё tё herёshme, apo se ai
nuk ka qenё rezultativ [48] por dhe me pacientё tek tё cilёt neglizhenca apo dёmtimet e
pёrftuara nё harkun e viteve kanё provokuar njё seri problematikash nga dёmtime tё gjera
kariogjene, paradontale, humbje tё elementёve dentarё e zhvendosje tё dhёmbёve tё mbetur
nё gojё, çka çon nё ndryshime tё planeve okluzale, tё raporteve interdentare duke shkaktuar
dhe dёmtime tё vetё okluzionit dhe ATM-së [58,60,75,77,79].
 
Kёta pacientё adultё, bartёs tё kёtyre problemeve komplekse ndodh që t´i nёnshtrohen njё
trajtimi multidisiplinar, ku ndёrthuren sipas nevojave paradontologjia, endodontia, protetika
(fikse apo e lёvizёshme), implantologjia, ortodoncia apo trajtimi ortognatik [38,51,81,
88,93,98,108].
Nё çdo trajtim ështё parёsor pёrcaktimi i difekteve dhe i pasojave tё tyre mbi aparatin
dentar, por dhe i shqetёsimeve qё ato shkaktojnё. Grumbullimi i dhëmbëve, ose
keqvendosja e tyre, mund të ndodhë në secilën nga harkadat. Në këto raste ripozicionimi
ortodontik i dhëmbëve do ishte trajtimi i parё i rekomanduar [73,90,98]. Nё rast se dhëmbët
janë shumë të dëmtuar, ose me recesion gingivar të shprehur apo me një pamje aspak
tërheqëse, aplikimi i vinirëve apo kurorave mund të përmbushë si restaurimin e dëmtimeve
dhe drejtimin e çdo dhëmbi në formën e saktë. Masa e korrektimit të arritur varet pjesërisht
nga struktura e rrënjëve dhe nga inklinimi koronar [23,27,52,83,98].
Zgjidhje tё tilla kanё rezultuar efikase. Duhet theksuar se nё rastin e koronave tё plota, mё
shpesh ato janё realizuar prej metal-porcelani (jo vetëm pёr arsye ekonomike) duke u
kujdesur për pozicionimin e linjёs sё mbylljёs e krijimit të njё buze porcelani vestibular
estetik [58,59,64].
Autorë të ndryshëm pranojnë se kur pacienti refuzon proçedurat ortodontike, atёherё mjeku
pёrcakton llojin e trajtimit, si zhvendosje minimale tё dhёmbёve, restaurime, ekstraksione
apo kombinime të kёtyre procedurave [23,51,85,98,118], duke marrё nё konsideratё disa
elementё, si hapёsirën e dhёmbёve nё harkadё, arkitekturën gingivare, linjën e buzёqeshjes,
profilin që paraqesin vetë dhëmbët si dhe higjenën orale. Shpesh në pacientёt qё paraqesin
mungesё dhёmbёsh, duhet bёrё dallimi mes humbjes nё vite tё kёtyre dhёmbёve apo
mungesёs sё tyre të lindur. Nё rastin e parё protetika ёshtё trajtimi i parё i rekomanduar,
ndërsa nё rastin e agenezive shumë autorë kërkojnë ortodoncinë nё kombinim me
implantologjinё si trajtim të parё [3,23,73,108].
Problem pёrbën kontigjenti i pacientёve qё refuzojnё kёtё trajtim, por kёrkojnё njё zgjidhje
më tё shpejtë tё problemit. Mendimi im është se në këto raste, protetika fikse, qoftë dhe pa
ndihmën e ripozicionimit ortodontik të dhëmbëve në harkadë, mund të plotësojë defektin
dhe përmirësojë ndjeshëm estetikën. Nё anomalitё e klases II e tё III skeletale trajtimi do të
ishte kryesisht ortodontik e madje potencialisht ortognatik [3,51,73,108], ndërsa restaurimi
dentar, thonë këta, nuk mund tё sjellё ndryshime tё ndjeshme te pacienti. Nё disa raste
pacientёt mund tё shfaqin tendenca të klasës III skeletale nё profilin e tyre dhe pёr shkak tё
rёnies sё theksuar tё dimensionit vertikal të okluzionit (kur mandibula duhet të bëjë njё
autorotacion lart e pёrpara pёr të arritur njё interkuspidim maksimal). Në këta pacientë
duhet sё pari tё pёrcaktohet shkaku i njё problemi tё tillë [51,77,87,112]. Nё se rёnia e
theksuar e VDO ka ardhur si rrjedhim i konsumit tё theksuar tё dhёmbёve, trajtimi
restaurues me protetikё fikse ёshtё nё gjёndje tё korrigjojё problemin [3,23,33,51,
77,86,98,108]. Duhet treguar kujdes nё rastin e bruksizmit dhe shqetёsimeve okluzale.
Rёnia e VDO mund tё vijё dhe si pasojё e nёnzhvillimit apo erruptimit tё pjesshёm tё
dhёmbёve distalё. Në këto raste trajtimi ortodontik do ishte zgjidhja e parё [51,65,79]. Kёto
trajtime komplekse janё tё gjata, impenjative dhe shpesh e bëjnë pacientin mosbesues,
[23,34,48,87,100,111] ç’ka i bёn ata ta lёnё dhe mё shumё pas dore trajtimin e tyre.
 
Pacientёt adultё nga njёra anё refuzojnë trajtimet ortodontike komplementare apo ato
ortognatike dhe nga ana tjetёr duan punime fikse e mundёsisht nё njё kohё sa mё tё
shkurtёr. Nё shumё raste vendimi pёr trajtimin pёrfundimtar ёshtё njё funksion mes
terapisё sё propozuar nga mjeku dhe trajtimit qё tёrheq mё shumё pacientin, pra preferenca
e tij nё raport me koston, pёrmirёsimin estetik e kompleksitetin e trajtimit [1,59,64,
74,77,117]. Kjo kërkesë e pacientit për arritjen e funksioneve të sipërpërmendura duhet tё
jetё lajtmotiv i pёrhershёm i punёs sё stomatologut.
Nё literaturё gjen raste pacientёsh komples, tё trajtuar me proçedura restauruese (bazuar në
protetikёn fikse), pa pёrfshirё ortodoncinё /ortognatinё. Por ato janё paraqitur kryesisht nё
trajtёn e ”rasteve klinike tё rralla” e jo si studime tё mirёfillta mbi mundёsintё dhe
rezultatet e arritshme me kёtё mёnyrё. Pёr kёtё arsye, ky problem ka tёrhequr vazhdimisht
vёmendjen time. Sipas opinionit tim, eksperienca dhe rezultatet pozitive tё kёtyre viteve
punё, mё shtynё tё thellohem në kёtё problem nё pёrpjekje për tё qartёsuar mundësitë dhe
rezultatet.
 
2 PJESA E PËRGJITHËSHME
2.1 Ndërtimi dhe Fiziologjia e Aparatit Përtypës
Aparati pёrtypёs ёshtё njё grupim (unit) funksional i pёrbёrё nga dhёmbёt; strukturat e tyre
mbёshtetёse, nofullat; artikulacioni temporo-mandibular (ATM); muskujt e pёrfshirё nё
mёnyrё tё dretёpёrdrejtё ose jo; si dhe sistemi nervor e vaskular qё mbёshtesin kёto inde.
Dёmtime funksionale apo strukturale tё cilitdo nga pёrbёrёsit e kёtij sistemi mund tё
reflektohen me shqetёsime (çrregullime) funksionale ose strukturale tё njё apo mё shumё
komponentёve [2,4]. Sidoqoftё, sistemi mastikator ka aftёsi tё shumta pёrshtatshmёrie, si
funksionale dhe/ose strukturale dhe mund t’u pёrgjigjen ngacmimeve tё pёrkohёshme
dhe/ose permanente. Njohja e mirё e fiziologjisё sё muskujve mastikatorё, si dhe e lёvizjes
mandibulare gjatё pёrtypjes ka ndikuar thellёsisht procedurat tona klinike. Nё tё shkuarёn
njohja e kёsaj lёvizje konsiderohej e rёndёsishme vetёm pёr protetikёn e lёvizёshme. Ky
informacion u pёrdor nё dizenjimin e vendosjen nё punё tё artikulatorёve. Sot kinetika e
nofullave ështё e vlefshme dhe në protetikёn fikse, nё periodontologji, nё ortodonci dhe për
diagnostikimin apo trajtimin e shqetёsimeve dhe dhimbjeve tё sistemit mastikator
[103,104].
Pёrtypja ёshtё veprimi i copёtimit tё ushqimit, duke e pregatitur bolusin pёr tu gёlltitur. Ky
copёtim ndodh nё sajё tё njё aktiviteti neuromuskular dhe enzimatik tё organizuar e
kompleks që bashkon pёrbёrёsit e ndryshёm tё sistemit mastikator, nga dhёmbёt e
strukturat pёrreth, tek muskujt, ATM, buzёt e faqet, qiellzёn, gjuhёn si dhe gjendrat e
pёshtymёs.
Përtypja (ose mastikacioni) i plotë, kërkon domosdoshmërisht dhe praninë e dhëmbëve në
të dy nofullat. Takimi i plotë dinamik dhe funksional i harqeve të dhëmbëve, përbën
okluzionin. Kur ky okluzion është maksimal ndërmjet dhëmbëve të dy nofullave, emërtohet
okluzion qendror [12,13,22,101,103].
Por, mbylljet e dy harqeve dhëmbore (të sipërm dhe të poshtëm) nuk janë gjithnjë normale,
standarte. Ato mund të jenë fiziologjike, por jo perfekte, mund të jenë edhe të devijuara, të
mangëta ose patologjike. Lidhur me mbylljet fiziologjike mund të përmendim se:
1. Një mbyllje fiziologjike perfekte, quhet okluzion eugnat.
2. Një mbyllje me takim dhëmbësh majë më majë, quhet okluzion ortognat.
3. Fiziologjike, por jo perfekte, do të quhet edhe mbyllja biprognatike.
4. Fiziologjike, por jo perfekte, quhet edhe opistognatia fiziologjike.
Okluzioni mund të jetë edhe patologjik. Në të renditen:
1. Prognatia ose dalja dukshëm përpara e nofullës së sipërme.
2. Progenia ose para dalje e dukshme e rradhës së dhëmbëve të poshtëm, apo e
nofullёs sё poshtme.
3. Okluzion i thellë ose mbyllje e theksuar, mbulim i theksuar i dhëmbëve të poshtëm
prej të sipërmve.
4. Okluzion i hapur ose mbyllja ku takojnë vetëm 1-2 dhëmbë të pasëm lart e poshtë
(gojë peshku).
 
 
5. Okluzion i kryqëzuar, kur radhët e dhëmbëve në gjysëm harku janë normal e në
gjysmën tjetër të tij, ose pjesërisht, janë në vendosje të kryqëzuar (të përmbysur).
2.1.1 Konceptet Themelore të Okluzionit
Okluzioni i dhëmbëve jo rrallë anashkalohet nga mjeku stomatolog. Pasojat në këto raste
janë negative, të shumëllojshme. Minimumi që kërkohet nga dentisti është aftësia të
diagnostikojë e trajtojë çrregullime të thjeshta okluzale dhe të realizojë punime që
shmangin sëmundje me origjinë jatrogjenike [20,57,70].
 Relacioni qëndror
Punimet restauruese duhet të krijojnë kontakte okluzale në dhëmbët posteriore, që e
stabilizojnë okluzionin dhe jo kontakte që e çvendosin dhe krijojnë e pozicionojnë
kafshimin jashtë normës. Okluzioni që do realizohet në një punim, kur plotësohen hapësira
të mëdha të shoqëruara dhe me çrregullime ose zhvendosje të okluzionit, duhet të tentojë
arritjen e një harmonie me pozicionimin optimal të kokave artikulare të mandibulës (ose
relacionin qendror) që quhet kur arrihet pozicioni më anterior dhe superior i kondileve
artikulare në fosën glenoidale me diskun artikular të vendosur ndërmjet kondilit dhe
eminencës artikulare anteriore.
Ky pozicionim përdoret si pozicion referimi i riprodhueshëm në laborator për montimin e
modeleve në artikulator. Ai sjell interkuspidim maksimal të dhëmbëve dhe tensionim
normal të muskulaturës mastikatore.
Fig. 2.1. Pjesë përbërëse të ATM.
A – eminenca artikulare, C – kondili, D – disku artikular, E – meatus acusticus externus, L – muskuli
pterigoid lateral, R – indi retrodiskal, S – muri i hollë superior i fosës glenoide.
Në realitet, një relacion qendror gjendet në rreth 10-12% të popullsisë. Shumica e njerëzve
kanë okluzion që i bën ballë nevojave mastikatore. Kështu dhëmbët takojnë tërësisht (ato
që janë në gojë) edhe kur janë të keq pozicionuar, të dendësuar, të çvendosur (pas
ekstraksioneve të kryera), etj. Kur pacienti nuk paraqet ankesa të pamjaftueshmërisë së
përtypjes, si rregull dentisti ka detyrën të plotësojë defektet (hapsirat) e krijuara duke
14
ruajtur kafshimin që ai ka. Pra, kllëfi, ura, ose urat plotësojnë harkun e dhëmbëve
[2,3,12,50].
Shpesh mjekët “vendosin” okluzionin qendror me forcë. Kjo bën që kondilet të vendosen
me forcë në pozicionin më posterior, superior të fosës glenoide. Anglisht ky veprim quhet
“RUM”, ku forca e mjekut ushtrohet direkt mbi mjekër. Kondilet vendosen me dhunë në
zonën retrodiskale, që është shumë e vaskularizuar dhe e inervuar. Kjo ndodh kur fijet
horizontale të ligamentit temporomandibular janë traumatizuar aq sa nuk e mbajnë më
kondilin në pozicionin e tij fiziologjik. Sot dihet që pozicioni RUM është jo normal, i
sforcuar, që krijon strese artikulare, ku disku është zhvendosur përpara dhe gjatë hapjes ose
mbylljes, ose në të dy rastet, dëgjohet një klik (kërcitje) në artikulacion. Pozicioni
fiziologjik, në konceptin modern pasqyrohet në lidhjet muskulo-skeletale të strukturave.
Mënyrat e përcaktimit të këtij pozicioni fiziologjik (relacioni qendror) janë të shumta
[29,41,87,101].
 Lëvizja mandibulare
Lëvizja e mandibulës kryhet brenda 3 akseve:
1. Aksi horizontal: Kjo lëvizje në planin sagital ndodh kur mandibula, në pozicionin e
relacionit qendror bën një lëvizje të pastër rotacioni (rrotulluese) hapëse dhe mbyllëse rreth
aksit horizontal transversal që kalon ndërmjet kondileve.
 

BETIMI I HIPOKRATIT

Betohem për emër të Apollos mjekut, të Asklepiusit dhe Higjeas e Panaceas, e për emër të të gjitha perëndive dhe perëndeshave, që do të jenë dëshmitarë të mij, se do ta përmbush sipas aftësive dhe gjykimit tim, këtë betim dhe detyrim; Se do ta trajtoj atë që më mësoi Artin e mjekësisë, si të jetë prindi im, dhe do të kaloj jetën time me të, dhe do ta ndihmoj në pastë nevojë; pasardhësit e tij do të jenë për mua vëllezër dhe atyre do t’ua mësoj Artin e mjekësisë, nëse do ta duan këtë gjë, pa pagesë dhe pa shpërblim; Se do ta ofroj diturinë që kam mbi Artin e mjekësisë si mësues dhe edukator i rregullt e përmes të gjitha mënyrave të tjera të të mësuarit, për bijtë e mij, për bijtë e mësuesve të mij, si edhe për nxënësit që pranohen me marrëveshje dhe nën betim sipas Ligjit të mjekësisë; por askujt tjetër ... Read more ...

hipokratit