Doktoratura

BIODIVERSITETI I SHTAMEVE TË KOMPLEKSIT MYCOBACTERIUM TUBERCULOSIS TË IZOLUAR NË SHQIPËRI GJATË VITEVE 2006 - 2007 - Silva TAFAJ

HYRJE
I. Mbi origjinën dhe përbërjen e kompleksit Mycobacterium tuberculosis Termi "tuberculosis" u përmend për herë të parë nga L. Schoenlein (1793-1864); më parë sëmundja njihej me emrin “phtisis”. Mënyra e transmetimit të sëmundjes u demonstrua nga J.A.Villemin (1827-1892), më 1865. Lezione tipike për tuberkulozin (TB) janë gjetur në mostra kockore që i përkasin afërsisht periudhes 8000-5000 përpara
Krishtit. Zink dhe pb [1] zbuluan ADN e M. tuberculosis në mostra kockore prej mumjeve egjiptiane të periudhës 2120-500 përpara Krishtit. Tuberkulozi shkaktohet nga një mikroorganizëm që i përket gjinisë Mycobacterium. Më 1896, kur kjo gjini u emërtua për herë të parë në një Atlas Bakteriologjie të Lehmann dhe Neumann, përmblidhte bacilin e leprës (M. leprae) zbuluar nga Armauer Hansen më 1874 dhe bacilin e tuberkulozit (M.tuberculosis) zbuluar dhe kultivuar nga Robert Koch (1843-1910), më 1882 [2].
Mendohet së gjinia Mycobacterium e ka origjinën më shumë së rreth 150 million vite më parë [3]. Një parardhës i hershëm i M. tuberculosis ka shumë mundësi të këtë qenë bashkëkohës dhe të ketë evoluar së bashku me hominidët e parë në Afriken Lindore, tre milion vite më parë. Anëtarët modernë të kompleksit M. tuberculosis duket se e kanë origjinën prej një progenitori të përbashkët rreth 15,000 - 35,000 vite më parë [4].
Ka dy variante të M. tuberculosis- varianti origjinal përshkruar nga Koch-u që është virulent tek kavia (cavia porcellus), dhe një variant tjetër i përshkruar kohët e fundit që është i zbutur tek kjo kafshë. I pari është i përhapur në të gjithë botën ndersa i dyti është vecanërisht prevalent në Indinë jugore dhe tek pacientët me origjinë etnike aziatike që jetojnë në vende të tjera; përkatësisht varianti klasik dhe aziatik [5].
Emri Mycobacterium, që do të thotë “fungus-bacterium” është një aluzion për rritjen karakteristike si myket kur bacilli tuberkular rritet në terren të lëngët. Bacili i leprës nuk është rritur kurrë në mënyrë të bindshme in vitro, por përfshihet në këtë gjini për arsye se sikurse bacili i tuberkulozit është acid-rezistent.
Më 1896 studiesi i Jorkut të Ri Theobald Smith(1859-1934) nga Laboratorët e Patologjisë Krahasuese në Shkollën Mjekësore të Harvardit, bëri ndarjen e bacileve tuberkulare në dy tipe, human dhe bovin në sajë të disa ndryshimeve të vogla por konstante të kultivimit të tyre [6].
Më vonë (1946) një tip i tretë –bacili i miut të fushes (Microtus agrestis)- u shtua nga shkencëtari anglez i Universitetit të Oxford-it, Dr. A. Q. Wells [7]. Sot ky tip njihet me emrin M. microti dhe janë përshkruar dy tipe të tij; ai i miut të fushës dhe i lamës.
Shkencëtarja gjemane Gertrud Meissner përshkroi më 1968 një lloj mjaft heterogjen, i cili u quajt M. africanum [8]. Shtamet heterogjenë të M. africanum duket sikur bashkojnë brigjet mes M. tuberculosis dhe M. bovis. Ato që ngjasojnë me M. bovis gjenden kryesisht në Afrikën perëndimore ndërsa ato që i ngjasojnë M. tuberculosis gjenden me shumë në Afrikën lindore. Të dyja tipet megjithatë gjenden edhe në vende të tjera përfshirë Europën. Për qëllime epidemiologjike ato ndahen në dy tipe në bazë të aktivitetit të nitratazës që është negativ tek i pari dhe pozitiv tek i dyti.

Me 1997 hollandezi Dick van Soolingen dhe bp. zbuluan një lloj të ri i cili sot njihet me emrin M. canetti [9]. Këto pesë tipe sot konsiderohen si pesë lloje të vecantë dhe quhen përkatësisht M. tuberculosis, M. bovis, M. microti, M.africanum dhe M. canetti. Megjithatë sot ka të dhëna domethënësë bazuar në strukurën antigjenike dhe përkatësinë gjenomike së këto pesë tipe janë në të vërtetë  variante të një lloji të vetëm.
Termi kompleksi M. tuberculosis përdoret për t`iu referuar bashkarisht këtyre llojeve. Duhet theksuar së nënndarja e kompleksit M. tuberculosis bëhet për arsye epidemiologjike; menaxhimi i pacientëve është i njëjtë për të gjithë tipat e lartpërmendur.
Disa nga karakteristikat e tyre janë:

  1. M. tuberculosis: rritje eugonike, reaksion pozitiv i reduktimit të nitrateve dhe akumulimit të niacinës.
  2. M. bovis: rritje disgonike, reaksion negativ i reduktimit të nitrateve dhe akumulimit të niacinës, rezistent ndaj pirazinamidit (PZA).
  3. M. africanum: rritje disgonike, rezultate të ndryshme të reduktimit të nitrateve dhe akumulimit të niacinës.
  4. M. canetti: koloni "të lëmuara" me shkëlqim, reaksion pozitiv i reduktimit të nitrateve dhe akumulimit të niacinës.
  5. M. microti: morfologji qelizore në formë S, rritje shumë e ngadaltë.

    Sot lista e kompleksit është zgjeruar më tej me anëtarë të tjerë:

  6. M. pinnipedii (bacili i fokës).
  7. M. caprae (një organizëm i ndjeshëm ndaj PZA, “si-M. bovis” izoluar për herë të parë nga dhitë).
  8. Bacili Dassie (shkak i TB në Procavia capensis ose “dassie”, një gjini brejtësish në Afrikën e Jugut)
  9. Bacili oryx (shkak i TB në antilopat).

Për të shkarkuar të plotë materialin klikoni link-un e mëposhtëm:
BIODIVERSITETI I SHTAMEVE TË KOMPLEKSIT MYCOBACTERIUM TUBERCULOSIS TË IZOLUAR NË SHQIPËRI GJATË VITEVE 2006 - 2007 - Silva TAFAJ

BETIMI I HIPOKRATIT

Betohem për emër të Apollos mjekut, të Asklepiusit dhe Higjeas e Panaceas, e për emër të të gjitha perëndive dhe perëndeshave, që do të jenë dëshmitarë të mij, se do ta përmbush sipas aftësive dhe gjykimit tim, këtë betim dhe detyrim; Se do ta trajtoj atë që më mësoi Artin e mjekësisë, si të jetë prindi im, dhe do të kaloj jetën time me të, dhe do ta ndihmoj në pastë nevojë; pasardhësit e tij do të jenë për mua vëllezër dhe atyre do t’ua mësoj Artin e mjekësisë, nëse do ta duan këtë gjë, pa pagesë dhe pa shpërblim; Se do ta ofroj diturinë që kam mbi Artin e mjekësisë si mësues dhe edukator i rregullt e përmes të gjitha mënyrave të tjera të të mësuarit, për bijtë e mij, për bijtë e mësuesve të mij, si edhe për nxënësit që pranohen me marrëveshje dhe nën betim sipas Ligjit të mjekësisë; por askujt tjetër ... Read more ...

hipokratit