Doktoratura
KONSIDERATA TË PËRGJITHSHME MBI CIPAT E TRURIT, HISTOFIZIOLOGJINË DHE MEKANIZMAT E PRODHIMIT TË LCS, SI DHE ANATOMINË MIKROSKOPIKE DHE SUBMIKROSKOPIKE TË BARRIERËS HEMATOENCEFALIKE - Zj. Majlinda Kokici
Sistemi nervor qëndror përbëhet nga truri dhe korda spinale që e marrin origjinën nga tubi nervor embrional. Të dy janë të rrethuara nga membranat mbrojtëse të quajtura meningje, dhe të dy notojnë në një lëng të qartë si kristali, likuori cerebrospinal (LCS).
Truri është i mbyllur në një hapësirë kockore, neurokraniumi, ndërsa korda spinale me formë cilindrike dhe te zgjatur shtrihet në kanalin spinal, i cili formohet nga vertebrat e njëpasnjëshme të lidhura nëpërmjet ligamenteve densë.
NDËRTIMI I CIPAVE
Truri dhe palca e kurrizit mbulohen nga tre cipat meningeale. Sipas planit të vendosjes ato janë: pia mater, araknoidea dhe dura mater.
Pia mater është cipa që bie në kontakt të drejtpërdrejtë me sipërfaqen e trurit dhe të palcës së kurrizit por nuk kontakton me neuronet dhe zgjatimet e tyre. Ndërmjet pia mater dhe elementëve nervorë zgjatimet e qelizave të neuroglisë formojnë një shtresë të hollë ndarëse që ka lidhje strukturore me sipërfaqen e brendëshme të pia mater. Pia mater ndërtohet nga ind lidhor shumë i pasur me fije kolagjeni, fije elastike dhe enë gjaku. Për shkak të vaskularizimit të bollshëm pia mater quhet edhe meninx vasculosa. Nga jashtë pia mater mbulohet nga epitel një shtresor i sheshtë (116).
Enët e gjakut të kësaj cipe meningeale depërtojnë në brendësi të trurit duke qenë vazhdimisht të shoqëruara nga vetë pia mater. Ndërmjet murit të pia mater dhe enës së gjakut ka një distancë që quhet hapësira perivaskulare ose e Virhov-Robin (2 ,132).
Araknoidea ndërtohet nga indi lidhor i pasur me shumë fije kolagjene dhe më pak fije elastike. Nuk ka enë gjaku. Ndërtohet nga një shtresë që bashkohet me dura mater dhe nga një sistem trabekulash që e lidhin me pia mater. Hapësira midis trabekulave formon hapësirën subaraknoidale. Kjo hapësirë e mbushur me lëngun cerebrospinal (LCS) nuk komunikon me hapësirën subdurale që ndodhet midis dy cipave të tjera, araknoides dhe dura mater.Të dyja sipërfaqet e araknoides mbulohen nga epiteli i sheshtë një shtresor. Araknoidea që shtrihet pranë sinus sagitalis superior formon vilet araknoidale, disa zgjatime që futen brenda në sinus. Vilet araknoidale shërbejnë për kalimin e lëngut cerebrospinal në gjakun që mbush sinusin(106,116).
Cipa e tretë quhet dura mater e cila është më e trashë se dy të parat. Ajo ndërtohet nga ind lidhor i pasur me fije kolagjeni dhe elastike. Sipërfaqja e sipërme e saj bashkohet me periostin e kockave të kafkës, ndërsa e poshtmja vishet me epitel një shtresor të sheshtë, të njëjtë me atë që vesh araknoiden. Ky epitel mbulon hapësirën subdurale.
Dura mater në nivelin e palcës së kurrizit nuk ka kontakt të drejtpërdrejtë me periostin e vertebrave. Ndërmjet tyre shtrihet hapësira epidurale me ind lidhor fijeshkrifët. Në dura mater ka shumë sinuse të mbushura me gjak, muri i të cilave nuk përmban qeliza të muskulaturës së lëmuar. Kjo cipë është e ndjeshme për shkak të mbaresave nervore të shumta që ka (2 , 3, 106, 116, 132).
Për të shkarkuar të plotë materialin klikoni link-un e mëposhtëm:
KONSIDERATA TË PËRGJITHSHME MBI CIPAT E TRURIT, HISTOFIZIOLOGJINË DHE MEKANIZMAT E PRODHIMIT TË LCS, SI DHE ANATOMINË MIKROSKOPIKE DHE SUBMIKROSKOPIKE TË BARRIERËS HEMATOENCEFALIKE