Doktoratura

PROBLEMET E PROTEZIMIT NË PACIENTË ME DENTICION TË PËRHERSHËM TE POPULLATA E TETOVËS DHE RRETHINAT E SAJ - SHERIF I. SHAQIRI

Nga përvoja profesionale vetiake, mbi dy dekada, kam hasur në patologji të ndryshme orale dhe të sistemit stomatognat. Gjithashtu kam trajtuar një numër të konsiderueshëm të pacientëve me çrregullime të sistemit dhëmbor. Në studimin tonë kemi patur parasysh faktin se në popullatën e Tetovës dhe rrethinat e saj kam konstatuar se nuk është kryer asnjë studim në këtë drejtim. Po kështu jam konsultuar me shumë autorë dhe studimet e tyre shkencore dhe profesionale mbi sistemet dhëmbore dhe defektet e tyre, mbi gjendjen e dhëmbëve të mbetur dhe indeve përreth, mbi nevojën e protezimit dhe llojet e protezimit, mbi okluzionin dhe artikulacionin. Ky vakum më shtyu për të kontribuar në këtë drejtim, duke u nisur nga fillesa e sistemit oral. 

Zgavra e gojës(cavum oris) përfaqëson pjesën fillestare të aparatit tretës të njeriut dhe shërben për përtypje, si dhe përgatitje të ushqimit për gëlltitje. Goja nuk shërben vetëm në përpunimin fillestar të ushqimit, por merr pjesë edhe në procesin e frymëmarrjes dhe në fonetikë, si dhe në të ndodhen edhe shqisat e shijes. Zgavra e gojës me anë të sistemit dhëmbor dhe gingivës-harku dhëmborogingival (arcus dentogingivalis) është e ndarë në paragojë (vestibulum oris) dhe në hapësirën e vërtetë të gojës(cavum oris proprium).1,2,3,4 (Foto 1,2)

           

                     Foto 1                                                                         Foto 2

Të gjitha indet, të cit marrin pjesë në funksionin e përtypjes dhe gëlltitjes, frymëmarrjes, artikulimit të zërit dhe prodhimit të pështymës formojnë sistemin stomatognat.1 Emërtimet e tjera për sistemin stomatognat janë: sistemi orofacial, sistemi mastikator, sistemi maksillofacial, etj. Karakteristikë e sistemin stomatognat, si dhe sistemeve të tjera të organizmit të njeriut është lidhshmëria e ndërsjellë e anatomisë dhe fiziologjisë. Prandaj, me të drejtë mund të thuhet se ky sistem paraqet një grup indesh dhe organesh të cilat funksionojnë si një tërësi e vetme.

Ky sistem është i përbërë nga një sërë elementesh ku rol parësor kanë dhëmbët, parodonti, kreshta hojëzore e nofullës së sipërme dhe nofullës së poshtme, kyçet tëmtho-nofullore(ATM), muskujt për përtypje dhe muskujt e tjerë, pjesë të sistemit nervor(SNQ dhe fijet nervore periferike me receptorët), enët e gjakut dhe të limfës, gjëndrat e pështymës, jargorja (mucosa) e zgavrës së gojës, etj.1,5,6,7

Dhëmbët si pjesë e sistemit mastikator luajnë rol të rëndësishëm në ruajtjen pozitive të  vetë-imazhit të çdo individi, ndërsa humbja e tyre rezulton me paaftësi të rëndësishme, të cilat mund të pengojnë dhe të kenë ndikim të thellë negativ në aktivitetet sociale. Humbja e një apo më shumë dhëmbëve është mjaft traumatike dhe tronditëse dhe konsiderohet si një ngjarje jetësore serioze që kërkon një korrigjim të rëndësishëm social dhe psikologjik.8,9,10,11  

Roli dhe funksioni i  dhëmbëve nuk është vetëm për prerje dhe përtypje, por edhe në funksionin e frymëmarrjes, të folurit dhe estetikës. Të gjithë dhëmbët në sistemin dhëmbor janë në baraspeshë, sepse nga të gjitha anët veprojnë forcat, shuma  e të cilave barazpeshohet me rezistencën e dhëmbëve. Nga ana okluzale të gjithë dhëmbët janë në kontakt me antagonistët, në kundërshtim me këta vepron shtypja e indit parodontal përmes fijeve të Sharp-it, gjegjësisht-forca e rritjes. Nga ana vestibulare ndaj tyre bëjnë shtypje muskujt e buzëve dhe faqeve, ndërsa nga ana orale ndaj të gjithë dhëmbëve veprojnë muskujt e gjuhës. Përmes pikave dhe sipërfaqeve të kontaktit, përveç se mbrohet papilla interdentare, të gjithë dhëmbët janë  në kontakt ndërmjet tyre dhe të shtyrë në drejtim nga ai mezial në atë distal dhe e kundërta, gjithashtu shërbejnë për stabilizim të vargjeve dhëmbore gjatë lëvizjes së mandibulës dhe këto fuqi që veprojnë ndaj dhëmbëve janë në baraspeshë statike. Në aspektin e funksionit, tek dhëmbët veprojnë dy lloje të forcave, me kah të njëjtë dhe me kah të kundërt, të cilat janë: forca që shkaktohen nga kontraksioni i muskujve mastikatorë dhe veprojnë ndaj kunorave të dhëmbëve duke i shtyrë ata në hojëza, si dhe ato me kah të kundërt që janë forcat e rezistencës që varen nga aparati mbështetës, të cilat ju kundërvihen  forcave funksionale.12,13,14

Kur forca e ushtruar është në kufijtë fiziologjikë, në sistemet dhëmbore pa hapësira ndikon në mënyrë stimuluese, i forcon fijet parodontale të dhëmbëve dhe vjen gjer te apozicioni (shtresimi) i çimentos. Atëherë, kur fuqitë do të kalojnë kufirin fiziologjik, ata mund të jenë të dëmshëm dhe të shkaktojnë dukurinë e njohur si “traumatizëm okluzal primar”. Gjithashtu edhe kur forcat fiziologjike veprojnë në dhëmbë me parodoncium të reduktuar, shkaktojnë dëmtimin e njohur si “traumatizëm okluzal sekondar”.14,15,148,149

Dëmtimi i njërit komponent të organit mastikator si: dhëmbët, perodonciumit, kyçet tëmtho-nofullorë (ATM), muskujt apo fijet nervore, sjellin dëmtime gjer te çrregullimi i funksionit të komponentëve të tjerë, por më shpesh me dëmtim ose me humbje të dhëmbëve,12,13 dhe si pasojë e kësaj humbjeje dhëmbore ndodh procesi i humbjes së vazhdueshme të kreshtës hojëzore, humbje e cila është më shumë e shprehur gjatë muajve të parë pas ekstraksionit të dhëmbit, ndërsa më vonë ajo dukshëm ngadalëson.16-31

Humbja e dhëmbëve në përgjithësi, ose humbja e të gjitha dhëmbëve, e njohur si padhëmbësi e plotë e dobëson cilësinë e jetës dhe ndikon në mënyrën e sjelljes së pacientëve në shoqëri, disponimin dhe kuptueshmërinë e përkujdesjes.32,33,34,35  Ky fakt është trajtuar në shumë studime të realizuara nga  autorë të ndryshëm si: Navalainen, në temën: “Mbi rehabilitimin protetik të dhëmbëve të humbur dhe shëndetit oral te të moshuarit”, dhe Thaweboon me bashkëpunëtorë në studimin e tyre me tematikë “Mbi statusin shëndetësorë oral te tributë fshatare”, të Mae Sot.

Pra, goja e shëndoshë është kusht parësor për shëndetin e përgjithshëm. Shëndeti oral, është pjesë e pandashme e shëndetit të përgjithshëm. Statusi social-ekonomik luan një rol të rëndësishëm në përcaktimin e shëndetit oral të individit. Autorë të ndryshëm në studimet e tyre kanë vlerësuar ndikimet social-ekonomike në shëndetin oral.36,37,38,39,40, 41,42, 43

Kur shëndeti oral është i komprometuar ndikon në gjendjen e organizmit i cili mund të jetë i prekur ose i kompromentuar .44 Prania e më pak se 20 dhëmbëve natyrorë të përhershëm në gojë është marrë si tregues i shëndetit oral të varfër.45  Studimet e tërthorta,46,47 treguan një lidhshmëri të rëndësishme mes dhëmbëve të humbur dhe sëmundjeve kardiovaskulare. Në literaturën aktuale shëndetësore ekziston një sasi e madhe e informatave që kanë të bëjnë me lidhshmërinë që ekziston mes shëndetit oral të dobët, humbjes së dhëmbëve dhe sëmundjeve kardiake.48,49  Humbja e dhëmbit është klasifikuar si dëmtim fizik dhe paaftësi, si dhe është radhitur si shkaku i dytë më i shpeshtë i aftësisë së kufizuar te të moshuarit. Shëndeti oral i dobët dhe humbja e dhëmbëve ndikojnë negativisht në aplikimin e dietës dhe regjimit të të ushqyerit, duke e komprometuar shëndetin e përgjithshëm.50,51,54  Problemet e të ushqyerit te pacientët me  padhëmbësi i ka trajtuar edhe Jung Sun Lee në studimin e tij me titull: “Padhëmbësia dhe statusi nutricional te grupi biracial i të moshuarve në azilet e pleqve”.

Mungesa e dhëmbëve në maxillë dhe në mandibulë e pengon  mbylljen normale te dhëmbëve gjë e cila mund të zbulojë lidhjen mes daljes së dhëmbëve dhe strukturave anatomike. Humbja e dhëmbëve paraqet fillimin e ndryshimeve të rëndësishme në sistemin orofacial dhe manifestohen me mungesën e indeve mbështetëse bazë në nofullën e sipërme dhe të poshtme. Kemi ndryshime në strukturën e indeve reziduale të sistemit orofacial, zvogëlimin e vlerave biologjike të tyre, çrregullimin e raporteve normale të nofullave, çrregullimin e zhvillimit të funksioneve themelore të sistemit orofacial, zvogëlimin e dimensionit vertikal të fytyrës, ndryshime në shprehje dhe në dukje të fytyrës, si dhe shkaktojnë spazëm të muskulaturës.61,62 Shumë autorë mes të cilëve edhe  Navalainen, Lula dhe Koçi N., në studimet e tyre kanë trajtuar gjerësisht problematikën mbi humbjen e dhëmbëve dhe pasojat estetike, funksionale dhe psikologjike nga ky fenomen. Humbja e dhëmbëve, pa dyshim çon atrofi të kreshtës së mbetur hojëzore, proces i cili është i pakthyeshëm, kronik dhe progresiv.63 Përmasa e atrofisë ndryshon shumë mes individëve të ndryshëm64 dhe madje edhe brenda njërit dhe të njëjtit person, në kohë të ndryshme, apo në rajone të ndryshme brenda nofullës.63,65 Megjithatë, atrofia është më e madhe gjatë vitit të parë, pas humbjes së dhëmbit; reduktimi i kreshtësmbetur është një proces që zgjat gjatë tërë jetës,66 por shkalla e humbjes kockore ka rënie.67,68,69,70

Resorbimi i kreshtës së mbetur është një proces i vazhdueshëm i humbjes së kockës hojëzor, dhe është më i madh gjatë muajve të parë, pas nxjerrjes së dhëmbit, se sa më vonë, ndërsa me kalimin e kohës pas ekstraksionit ai ngadalëson.71,72,73,74,75,76,77,78,79 Disa autorë kanë gjetur se resorbimi i kreshtës së mbetur ndalon në maksillë pas dhjetë vitesh, ndërsa në mandibulë më herët.79, 80,81,82,83,84 Kreshta e resorbuar paraqet problem pasi që në mënyrë plotësuese e vështirëson rehabilitimin protetik të pacientëve. 85,86,87,88,89,90,91,92

Argumentet mbi humbjen e dhëmbëve kanë ndryshuar.93 Studimet e bëra kanë dëshmuar se disa nga faktorët si: qëndrimi, sjellja, përkujdesja për dhëmbët dhe sistemi për mbrojtje shëndetësore luajnë një rol të rëndësishëm në vendimin për të mbrojtur dhëmbët. Në veçanti, ekziston një lidhje sinjifikante mes statusit të padhëmbë dhe çështjes financiare gjë e cila si zakonisht është e shoqëruar me nivelet e ulta profesionale.94 Autori Shekar, në studimin e tij, përqendrohet në statusin protetik dhe nevojën protetike në varësi nga faktorët ekonomikë te të punësuarit në Bashkinë e qytetit Mysore. Autori Kwan në studimin e tij mbi vlerësimin për dhëmbët konstaton se popullata kineze në Mbretërinë e Bashkuar beson se  ajo është e ekspozuar ndaj sëmundjeve dhëmbore, dhe se ata duhet të presin që ti humbin dhëmbët në moshën e vjetër, dhe prandaj këtu nuk mund të bëhet asgjë për prevenim të kësaj dukurie.95  

Në shoqëritë moderne problemet shëndetësore të shoqëruara me zgjatjen e moshës në mënyrë kritike rriten.  Mes tjerash, kjo përfshin sëmundjet orale të cilat definitivisht çojnë në humbjen e dhëmbit.  Çfarëdo që të jetë shkaku, efekti i humbjes së dhëmbit gjithmonë është i njëjtë. Forcat përtypëse fiziologjike të zbatuara përmes rrugës së rrënjëve të dhëmbëve te kreshta hojëzore e resorbuar nuk zgjasin gjatë.68,96 Sipas ligjit të Wolfit97 dhe modelit mekanostat,98 mospërdorimi dhe mungesa e stimulimit mekanik pasohet nga reduktimi i masës kockore.  

Çrregullimet dhe ndryshimet e ndjekin plakjen, të tilla si ndryshimet patologjike dhëmbëve dhe indeve periodontale, kanë si pasojë humbjen e kontakteve okluzale dhe zvogëlimin e funksionit motorik oral.99,100 Këto pasoja kanë ndikim të drejtpërdrejtë në çrregullimin e funksionimit normal të kyçeve tëmtho-nofullorë (ATM).101 Humbja e dhëmbëve natyrorë dukshëm e vështirëson kryerjen e aktiviteteve sociale, fiziologjike dhe ul cilësinë e jetesës. Gjendja e padhëmbësisë së pjesëshme e sidomos asaj të plotë, shkakton përveç ndryshimeve morfologjike të aparatit neuromuskulor edhe ndryshime gjithpërfshirëse në funksionimin e muskujve mastikatorë, për pasojë përtypja në esencë ndryshon, si dhe nxit paraqitjen e çregullimeve psikologjike.102,103

Migrimi i  dhëmbëve të cilët ndodhen në kufi ose përballë fushave pa dhëmbë, shpesh mund ta komplikojë restaurimin protetik të planifikuar, ose të krijojë pengesa okluzale.104,105,106 Disa teori,107,108,109,110 e mbështesin konceptin e zhvendosjes së dhëmbëve si një proces i vazhdueshëm kompensues.

Shkaqet e mungesës së dhëmbëve natyrorë të përhershëm janë të ndryshme: të lindura që zënë rreth 2%  dhe të fituara që janë prezente me rreth 90% të tyre, pa përmendur këtu përqindjen e mungesës së dhëmbëve që ndodh si pasojë e veprimeve të ndryshme.32,111,112,113 Shkaktarë të drejtpërdrejtë paraqiten sëmundjet orale, në rradhë të parë kariesi dhe paradontopatitë, që janë prezente dhe e shoqërojnë sot njeriun.113,114 Në bazë të të dhënave të literaturës mjekësore stomatologjike, është pohuar se shumica dërrmuese e popullsisë mbi 16 vjeç kanë mungesë të dhëmbëve dhe përsa i përket shpeshtësisë kjo patologji radhitet fill pas kariesit dhe paradontopative. 32

Mungesa e një osë më shumë dhëmbëve, shkakton vështirësi në mastikacion, por me kalimin e kohës për pasojë kemi edhe zhvendosje të dhëmbëve, inklinimin e tyre, zgjatjen e antagonistëve dhe një sërë pasojash afatgjatë si çrregullim i  artikulacionit temporomandibularë(A.T.M), i njohur si fenomeni Godon.12,115

Mungesa e dhëmbëve të caktuar, një grupi dhëmbësh ose komplet sistemit dhëmbor, në njërën apo në të dyja nofullat, sjell çrregullime komplekse si: estetike, fonetike, funksionale dhe topografike që bashkërisht reflektohen në sistemin digjestiv dhe në psikikën e  njerëzve, si dhe e detyrojnë pacientin të kërkojë ndihmën e mjekut stomatolog për kontrollin e dhëmbëve. Në këtë rast, stomatologu protezist është ai që përmes rehabilitimit oral duhet të bëjë kurimin e sistemit stomatognat të çrregulluar te këta pacientë.113,114  Autori Palmqvist në studimin e tij është përqendruar në gjendjen e dhëmbëve në popullatën suedeze, te grup-mosha 45-69 vjeç.

Rehabilitimi në kuptimin e gjerë të fjalës përmbledh në tërësi çdo lloj aktiviteti terapeutik, qëllimi i të cilit është kthimi i funksionit të çrregulluar apo të humbur të organeve të veçanta, ose të organizmit në përgjithësi. Rahabilitimi oral, nënkupton çdo lloj ndërhyrjeje stomatologjike që ndërmerret dhe që ka për synim të rivendosë funksionimin normal të sistemit stomatognat. Në aspektin e ngushtë protetik, rehabilitimi oral paraqet korigjimin e anomalive të thjeshta ose të komplikuara të sistemit stomatognat si nevojë për restaurime protetike të njësive mastikatore të dëmtuara ose të humbura te pacientët me denticion të përhershëm.115 Mbi rehabilitimin oral të pacientëve, me mungesë të dhëmbëve kanë kryer studime shumë autorë mes të cilëve edhe: Nadgere, Shigli, Nevalainen, Shrivastav, Lula, Toti, Qafmolla, Koçi N., Shaqiri, Ivanis, Catovic, Abud, etj.

Disiplinat protetike me aftësitë e tyre të konstruksionit dhe të rekonstruksionit jo rrallë e përmbushin në tërësi trajtimin e rehabilitimit oral, ose në vetë procesin e terapisë veprojnë të pavarura. Ndërsa fushë veprimi i trajtimit protetik realizohet përmes protezave të pjesëshme të fiksuara për dhëmbët natyrorë dhe për implantatet, përmes protezave të lëvizshme të pjesshme dhe të lëvizshme të plota, si dhe nis nga restaurimi i një kunore dhëmbore, rehabilitimi i okluzionit deri te kompensimi i sistemit dhëmbor në njërën apo të dyja nofullat pa dhëmbë.12,117,118 Përmes trajtimit protetik bëhet restaurimi i plotë i funksionit, si dhe arrihet përmirësim në aspektin estetiko-fonetik. Dhëmbët mungues mund të zëvendësohen me punime protetike të cilët do ta përmirësonin gjendjen e pacientit dhe aftësinë e përtypjes, ndërsa te padhëmbësia e pjesshme do ta ruajnë shëndetin dhe integritetin e sistemeve dhëmbore, ndërsa në të shumtën e rasteve e cënojnë vetbesimin e pacientëve.116 Me aplikimin e punimeve protetike, synohet gjithashtu kthimi në normalitet i A.T.M dhe komponenteve neuromuskulare të tij. Trajtimi protetik i gabuar, mundëson krijimin e disharmonisë dhe dëmtimit të sistemit stomatognat.12  Problemet që krijohen nga trajtimet protetike jo të sakta dhe të gabuara janë studiuar nga shumë autorë të huaj dhe vendas ndër të cilët edhe Tervonen, Navalainen, Toti dhe Qafmolla.

Me anë të punimeve protetike si ndërhyrje terapeutike për rehabilitim të organit mastikator bëhet përpjekje që, sa më shumë të imitohet situata anatomike dhe ajo fiziologjike, e cila do të mundësonte njëkohësisht zgjidhjen e dy problemeve esenciale: problemit mekanik dhe atë biologjik. Mospërmbushja e kërkesave mekanike ose të atyre biologjike, do të rezultonte jo vetëm me mossukses të vetë restaurimit, por gjithashtu edhe me humbjen e dhëmbëve shtyllë,ndërsa për pasojë do të humbë vetia preventive e kompensimit protetik.119,120 Autori Moimaz me bashkëpunëtorë në studimin e tyre mbi lidhshmërinë mes punimeve protetike dhe sëmundjeve periodontale te komuniteti rural brazilian, pikërisht studiojnë mbi pasojat nga punimet protetike joadekuate.

Punimet protetike kanë rol të veçantë në aspektin profilaktik, sidomos te padhëmbësia e pjesëshme, ku përmes këtyre punimeve pengohet inklinimi i dhëmbëve drejt hapësirës së zbrazët në vargun dhëmbor, zgjatja e antagonistëve, kurse nga ana tjetër vendoset okluzioni dhe artikulacioni komplet që vepron në mënyrë preventive te dhëmbët e mbetur, te A.T.M dhe në përcjelljen e fuqive horizontale te dhëmbët e tjerë përmes pikave dhe sipërfaqeve të kontaktit, gjë që ndikon në arritjen e unitetit funksional.3,12,14,115

Mungesa e dhëmbëve, kompensimi i tyre me punime protetike, si dhe problemet e protezimit me tërë kompleksitetin e vet kanë terhequr vëmendjen e shumë autorëve të cilët studimet e tyre ua kanë kushtuar kësaj problematike.

Kështu Godon  në vitin 1901 ishte i pari që i vendosi bazat e barazpeshës së artikulimit të dhëmbëve përmes ligjit të paralelogramit të fuqive. Sipas tij, mjafton të mungojë vetëm një dhëmb që të prishet ky ligj, si dhe të paraqiten vështirësi në përtypje dhe menjëherë ose me kalimin e kohës të shkaktohet zhvendosja e dhëmbëve, zgjatja e antagonistëve dhe një sërë pasojash afatgjata.

Sipas autorëve Guizeit, Aacher, Romheld dhe Mathis (cituar nga Lula me bashkp.), humbja e një apo më shumë dhëmbëve ndikon jo vetëm në rënien e funksionit përtypës, por edhe në çrregullimin e aparatit tretës, si gastrite, lezione mekanike të enëve sipërfaqësore të gjakut dhe gjer te ulçera e ventrikulit, apo influencat negative me rrugë reflektore në gjëndrat e pështymës e të stomakut.

Lula me bashkp., në studimin e tyre theksojnë se pasojat që lindin nga mungesa e dhëmbëve natyrorë janë të shumëllojshme dhe individuale, ato manifestohen në rreshtimin dhëmbor, në pozicionin e të dyja nofullave, në indet përreth, si dhe gjer te A.T.M.

Budtz-Jorgensen në studimin e vet konstaton se me humbjen e dhëmbëve anësorë, pashmangshëm do të paraqitet jostabiliteti neuromuskular i mandibulës, zvogëlohet efikasiteti përtypës dhe shkaktohet humbja e dimensionit vertikal të okluzionit, nga i cili ndodhin ndryshime voluminoze të kockës hojëzore.

Sipas Klemettit, fillimi i resorbimit të kreshtës fillon me humbjen e dhëmbëve dhe cipës periodontale të tyre, e cila ka aftësi të krijimit të kockës. Po kështu, sipas të njëjtit autor, humbja e cipës periodontale shkakton uljen e metabolizmit të kreshtës hojëzore, dhe resorbimin biokimik të kockës të shkaktuar nga endotoksinet e pllakës dentare, faktorët që aktivizojnë osteoklastet, prostaglandinet, si dhe faktorët stimulues humanë të resorbimit të kreshtës hojëzore.

Carlson dhe Nascimento në studimet e tyre konstatojnë se nxjerrja e dhëmbëve shkakton reduktimin gradual të përmasave të kreshtës së mbetur kockore kryesisht në mandibulë, por edhe në maksillë.

Shumë autorë si: Atwood, Mercier, Nishimura, dhe Xie, në hulumtimet e tyre të pavarura kanë arritur në konstatim se resorbimi i kreshtës alveolare pas humbjes së dhëmbëve paraqet sëmundje kronike kumulative të trathëve (trabekulave) kockorë. 

Ndryshimet resorbuese në kreshtë pas nxjerjes varen nga numri dhe pozita e dhëmbëve të mbetur në nofull. Sipas hulumtimeve që ka bërë Klemeti (cituar nga Knezovic-Zlataric), nëse në pjesën frontale të mandibulës ka dhëmbë, në pjesën distale të saj (pa marrë parasysh se pacienti mban apo jo protezë) fuqitë përtypëse nuk janë aq të forta për të shkaktuar resorbim voluminoz.

Kocka hojëzore paraqet ind spongioz specifik kockor të vendosur mes lamella buccalis et lingualis ossis corticalis. Sipas Brash-it,(cituar nga Stanisic me bashkp.) ky ind është në mënyrë funksionale i lidhur me praninë e dhëmbëve dhe se humbet pas ekstraksionit të tyre.

Glantz dhe Omar në studimet e tyre theksojnë se në aspektin biomekanik duhet patur parasysh faktin se ekziston dallim thelbësor në shpërndarjen e energjisë funksionale te bartësit e protezave të plota, kundrejt pacientëve me sisteme dhëmbore intakte. Personat me sisteme dhëmbore intakte manifestojnë tendencë për gjenerim të energjisë përmes kafshatës (bolusit), për dallim nga bartësit e protezave të plota të cilët pjesën më të madhe të energjisë mastikatore e shpërndajnë jashtë bolusit, drejtpërdrejt dhe përmes bazës së protezës në indet mbështetëse.

Exbrayat vë në dukje se me humbjen e pjesëshme të dhëmbëve arrihet gjer te zvogëlimi i efikasitetit të përtypjes.

Zlataric nga hulumtimi i tij konstaton se kontakti i parakohshëm okluzal shkakton zhvendosje të mandibulës në ndonjërin nga pozicionet habituale e cila pozitë sjell gjer te mbingarkesa jofiziologjike e dhëmbëve të mbetur, ndryshim të pozitës së kondileve në A.T.M. te disa individë të shoqëruar me dhimbje, resorbim masiv të kockës hojëzore dhe retraksion të izoluar të gingivës, lëkundje të dhëmbëve frontalë, si dhe zhvendosje të incizivëve. Kjo flet për ekzistimin e traumatizmit direkt dhe indirekt dhe për paraqitjen e çrregullimeve në rrafshin okluzal. 

Ingerval dhe Hedegard nga studimet e tyre konstatojnë se aktiviteti muskulor gjatë përtypjes është dukshëm më i vogël te pacientët me punime protetike se sa te ata me sisteme dhëmbore natyrore intakte.

Manly dhe Braley (cituar nga Kapusevska), me humbjen e dhëmbëve të caktuar kanë vërejtur zvogëlim të efikasitetit përtypës, dhe sipas tyre i njëjti nuk mund të kompensohet me kohëzgjatjen e mastikacionit, por me gëlltitjen e pjesëve më të mëdha të ushqimit ose me eskivim të ushqimit me çka do të ndikohej në dobësimin e gjendjes shëndetësore të përgjithshme.

Suvin vë në dukje se me humbjen e një ose më shumë dhëmbëve humbet edhe kontakti mesdhëmbor, ku mungon mbështetja kundër forcave horizontale me çka dhëmbët inklinohen, rrotullohen, shtrembërohen dhe shkatërrohen.

Busigin (cituar nga Mircev), konstaton se me humbjen e të gjithë molarëve të parë ndodhin këto ndryshime: Kurora e dhëmbit është 3-4gradë më përpara, nofulla e poshtme shkurtohet për 4mm., fovea artikulare bëhet më e cekët për 1mm., hollohet discus articularis për 0.8mm., ndërsa molari i dytë inklinohet në drejtimin mezial.

Autorë të ndryshëm (Kayser, Kleinrok, Kopp), në studimet e tyre theksojnë se, mungesa e një ose më shumë dhëmbëve kanë ndikim shumë të rëndësishëm estetiko-funsional në jetën e pacientit.

Toti me bashkp., theksojnë se mungesa e dhëmbëve, pavarësisht nga shkaku dhe numri i dhëmbëve që mungojnë, shoqërohet me një sërë çrregullimesh lokale dhe të përgjithshme, për mënjanimin e të cilëve është i domosdoshëm mjekimi protetik.

Ginjali (cituar nga Mircev) vërteton se me humbjen e vetëm të një molari të parë, në aparatin përtypës ndodhin një sërë ndryshimesh të cilët mund të dëshmohen me anë të ekzaminimeve klinike dhe funksionale. Efikasiteti përtypës zvogëlohet për 21-25%, vija e mesit (linea mediana) është e zhvendosur në 56.5% të rasteve, A.T.M. lëshohet përpara në anën e dhëmbit të humbur gjer më 3.4 gradë.

Nascimento me bashkp., thekson se ruajtja e disa dhëmbëve, sidomos në mandibulë e ngadalëson reduktimin e kreshtës hojëzore.

Qafmolla,( Love, Adams, dhe Marxkors, cituar nga Qafmolla) në studimet e tyre të ndara theksojnë se mungesa e dhëmbëve ka si pasojë migrimin e dhëmbëve të mbetur, i cili është shumë evident në vitet e para të heqjes së dhëmbëve (Qafmolla kishte evidentuar deri në 65.9%, të rasteve ), ai ndërpritet menjëherë nga një ekuilibrim okluzal me vendosjen e mjekimit protetik.

Qamirani me bashkp., konstatojnë se humbja e dhëmbëve dhe atrofizimi i kreshtave hojëzore ka lidhje të ngushtë me vlerat e këndit të mandibulës i cili influencon në mënyrë të dukshme në qëndrueshmërinë e protezës. 

De Boever dhe Carlsson (cituar nga Badel) konstatojnë se humbja e dhëmbëve të zonës mbështetëse shkakton zhvendosjen e kondilit në raport me kafkën, me çka shkaktohet dhimbje orofaciale.

Vukovajac me bashkp., në studimin e tyre vënë në dukje se te pacientët me padhëmbësi të plotë ose te ata me okluzion të përkeqësuar dhe me mungesë të guidës anteriore ka zhvendosje anteriore të kondilit.

Abud me bashkp., në studimin e tyre theksojnë se mungesa e dhëmbëve shkakton humbjen e kontaktit okluzal dhe e zvogëlon funksionin motorik oral, me çka rritet prevalenca e çrregullimit të kyçeve tëmtho-nofullore sidomos te popullata e moshuar.

Ramfjord, Qafmolla, Dimkova (cituar nga Korbi me bashkp.) në studimet e tyre theksojnë se heqja e dhëmbëve anësorë shkakton okluzion të thellë dytësor.

Guguvcevski në studimin e tij konstaton se si padhëmbësia e pjesëshme po ashtu edhe ajo e plotë, shkaktojnë përveç ndryshimeve morfologjike të aparatit nervoro-muskulor, edhe ndryshime në funksionin e muskujve mastikatore dhe në përtypje .

BETIMI I HIPOKRATIT

Betohem për emër të Apollos mjekut, të Asklepiusit dhe Higjeas e Panaceas, e për emër të të gjitha perëndive dhe perëndeshave, që do të jenë dëshmitarë të mij, se do ta përmbush sipas aftësive dhe gjykimit tim, këtë betim dhe detyrim; Se do ta trajtoj atë që më mësoi Artin e mjekësisë, si të jetë prindi im, dhe do të kaloj jetën time me të, dhe do ta ndihmoj në pastë nevojë; pasardhësit e tij do të jenë për mua vëllezër dhe atyre do t’ua mësoj Artin e mjekësisë, nëse do ta duan këtë gjë, pa pagesë dhe pa shpërblim; Se do ta ofroj diturinë që kam mbi Artin e mjekësisë si mësues dhe edukator i rregullt e përmes të gjitha mënyrave të tjera të të mësuarit, për bijtë e mij, për bijtë e mësuesve të mij, si edhe për nxënësit që pranohen me marrëveshje dhe nën betim sipas Ligjit të mjekësisë; por askujt tjetër ... Read more ...

hipokratit