Doktoratura

STUDIM EPIDEMIOLOGJIK MBI VLERËSIMIN E MBETJEVE TË MEDIKAMENTEVE, BETALAKTAMË DHE SULFONAMIDIKË NË QUMËSHTIN E PRODHUAR NË REPUBLIKËN E KOSOVËS - Mr. Zana SULEJMANI

PARATHENJE
Ky disertacion i doktoratës sime është një studim kërkimor – shkencor që u kushtohet  mbetjeve të medikamenteve, kryesisht betalaktamëve dhe sulfonamidikëve në qumështin e prodhuar nga fermat e gjedheve në Republiken e Kosovës.
Kosova është shtet i ri dhe si i tillë ai ende nuk është aq sa duhet i konsoliduar në të gjitha fushat e saj shoqërore – politike, juridike, ekonomike, shëndetësore, bujqësore etj.
Ky shtet ka mungesë të dijes dhe të përvojës profesionale – shkencore në organizimin e punëve teorike dhe praktike për zhvillimin e gjithanshëm të këtij vendi të vogël.
Kufijtë e tij nuk janë tërësisht të kontrolluar, dhe kjo bën që aty të depërtojnë mallra të huaj prej vendesh të ndryshme të rajonit dhe të botës në përgjithësi. Po ashtu edhe ligjet nuk janë aq funksionale që t’i ndalojnë të paktën ato mallra ushqimore me origjinë të dyshimtë bimore a shtazore që paraqesin rrezik serioz në rradhë të parë për shëndetin publik dhe sigurinë e ushqimit të tregut kosovar.
Mungesa e ligjeve përkatëse, madje edhe aty ku ato ekzistojnë nuk zbatohen si duhet, ka mangësi të azhuritetit në zbatimin zyrtar të tyre, dhe kjo bën që kontrolli mbi ushqimin e shëndoshë dhe cilësor të mungojë shpeshherë dhe në shumë raste. Prandaj, kjo e bën tregun e Kosovës të pasigurt dhe të dyshimtë për konsumatorët tanë, të cilët kështu humbin besimin në produktet ushqimore vendore, duke përfshirë këtu edhe ato të qumështit.
Pra, neglizhenca në sjelljen dhe zbatimin e ligjeve në kohë të caktuar dhe në mënyrë të duhur dëmton rëndë, si ekonominë e tregut, ashtu edhe shëndetësinë e Kosovës. Sa për ilustrim po përmendim Ligjin për mbrojtjen e konsumatorit, i cili ndonëse ekziston teorikisht, në praktikë nuk është i suksesshëm.
Sido që të jetë, sot Republika e Kosovës po ballafaqohet me një konkurencë jo të ndershme të mallrave ushqimore të huaja që po gjejnë përhapje në tregun e saj pa ndonjë kriter të caktuar ekonomik – juridik lidhur me sigurinë dhe cilësinë e tyre ushqyese, dhe kështu prishin shpeshherë baraspeshimin e tregut, duke mbizotëruar në shumë raste padrejtësisht ushqimet e huaja mbi ato të prodhimit vendas. Të ndodhur në këtë konkurencë të padrejtë edhe prodhuesit vendas jo rrallë herë shkelin apo anashkalojnë procedurat dhe rregullat e prodhimit, me qëllimin e “zotërimit të tregut” kundrejt produkteve të importit. Prandaj, është mëse e nevojshme dhe e ngutshme që shteti të intervenojë sa më parë me të gjitha mekanizmat e tij ligjore – juridike që të ndalojë depërtimin e të gjitha mallrave ushqimore të falsifikuara, të kontrabanduara dhe me prejardhje të paqartë të origjinës së tyre dhe njëkohëshëm rritjen e mundësisë së kontrollit për produktet vendase.
Pikërisht këto arsye dhe shumë të tjera të ngjajshme më shtynë që për temë të disertacionit tim të marr një nga materiet ushqimore, duke u përcaktuar për qumështin.
Siç dihet, qumështi është ushqim bazë për mbajtjen e jetës dhe ruajtjen e shëndetit të njeriut. Nga qumështi dalin shumë derivate të tij ushqimore, siç janë djathi, kosi, gjiza, tëlyeri, dhalli etj., që janë gjithashtu shumë të rëndësishme për ekzistencën njerëzore.
Meqë deri më tash është shkruar fare pak dhe vetëm nga aspekti veterinar, unë desha t’i kushtoj një studim kërkimor – shkencor me përmasa të gjera monografike për mbarë territorin e Kosovës dhe me një vështrim kryesisht nga pikëpamja farmaceutike qumështit të lopëve të Kosovës të mjekuara me barna farmaceutike prej antibiotikësh.
Qëllimi im ka qenë dhe mbetet që të dhënat për cilësinë e qumështit t’i bëj të njohura për publikun në veçanti se sa ai është i dobishëm apo i dëmshëm për shëndetin e individit dhe atë publik në përgjithësi në Kosovë, në rajon e më gjerë.
Çfarë qumështi përdorin qytetarët tanë, sa ai është i pastër apo i kontaminuar, sa është sasia apo përqindja e mbetjeve të antibiotikëve në përbërjen e tij, në çfarë nivelesh të përqëndrimit ndodhen ata, deri në çfarë mase paraqitet rezistenca bakterore ndaj tyre, cilat janë dëmet e mbetjeve të antibiotikëve te popullata, çfarë sëmundjesh infektive dhe reaksionesh alergjike shkaktojnë ata në masën njerëzore.
Duke ngritur këto probleme desha të tërheq vëmendjen në shkallë institucionale të autoriteteve tona zyrtare kompetente që t’i shtojnë masat e kontrollit për qumësht të shëndoshë, të pastër dhe cilësor.        
Institucionet shtetërore të Kosovës duhet t’i forcojnë masat e kontrollit për cilësinë e ushqimit që futen në treg dhe të ndalojnë në mënyrën më të rreptë ligjore tregtinë e qumështit të “helmuar” apo edhe me prani të vogël mbetjesh të antibiotikëve.
Po kështu edhe fabrikat e grumbullimit dhe të përpunimit të qumështit duhet ta rritin vigjilencën e tyre dhe të mos pranojnë qumësht të kontaminuar me mbetje antibiotikësh.
Në këtë kuadër për të pasur qumësht të pastër dhe cilësor një rol me rëndësi mund të luajnë edhe veterinerët dhe fermerët, të cilët gjatë mjekimit të lopëve të sëmura me antibiotikë duhet të bashkëpunojnë ndërmjet tyre, si dhe me inspektoratin e kontrollit për të parandaluar shitjen e qumështit të kontaminuar me mbetje antibiotikësh.
Duke ngritur kështu cilësinë dhe sigurinë e ushqimeve tona në përgjithësi dhe të qumështit në veçanti Kosova mund t’u konkurojë me sukses mallrave të huaja ushqimore dhe ta kthejë besimin e qytetarëve tanë te ushqimet tona vendore.
Ky studim përmban më vete edhe tema të tjera që janë të lidhura drejtpërdrejt ose në mënyrë të thërtort me qumështin e papërpunuar dhe me mbetje antibiotikësh.
Këtu po përmend vetëm disa prej tyre siç janë njohuritë e përgjithshme për territorin e Kosovës, blegtorinë, bujqësinë dhe popullsinë; legjislacionin dhe zbatimin e ligjeve që kanë të bëjnë me mbrojtjen e cilësisë dhe të sigurisë së qumështit, si dhe të konsumatorit; komponentët kryesorë të qumështit dhe proceset e përpunimit të tij në industri; problemet e shëndetit publik dhe sëmundjet e shkaktuara nga përdorimi i qumështit me mbetje antibiotikësh; çështje të përdorimit të antibiotikëve te gjedhet dhe dhënia e lejes për konsum të tyre, metodologjia e punës e kështu me radhë.
Unë besoj se ky studim i doktoratës sime sado i thjeshtë që mund të jetë megjithatë, ai do të jetë një kontribut i çmueshëm në zanafillën e studimeve të tjera farmaceutike të qumështit të lopëve të mjekuara në Kosovë me medikamente antibiotikësh, si dhe për ndriçimin e problemeve të shumta e të ndryshme që mbetjet e tyre në qumësht mund t’i shkaktojnë shëndetit publik të shoqërisë sonë.  
Pa dyshim se ky trajtim imi hulumtues – shkencor nga pikëpamja farmaceutike e mbetjeve të antibiotikëve në qumësht, si dhe dëmet shëndetësore që ato i bëjnë njerëzimit, për herë të parë realizohet në Republiken e Kosovës, dhe si i tillë ai do të arrijë të japë një vlerësim të gjendjes aktuale, të hedhë dritë mbi çështjet thelbësore të sigurisë ushqimore në prodhimet e qumështit dhe njëkohshëm të nxjerrë edhe një sërë përfundimesh e të propozojë masa për riparimin e situatave të vërejtura për mbrojtjen e konsumatorit apo edhe në tërësi të shëndetit publik; ky studim është hapi i parë i ndërmarrë nga unë në këtë studim dhe nëpërmjet tij studiues të tjerë mund të thellojnë studimet dhe vlerësimet e tyre në gamë medikamentesh apo edhe të tjera që sipas literaturës perdoren zakonisht jo vetëm për kurim, por edhe për mbarështim të bagëtive nga ferma të ndryshme të Kosovës.

Për të shkarkuar të plotë materialin klikoni link-un e mëposhtëm:
STUDIM  EPIDEMIOLOGJIK  MBI  VLERËSIMIN E MBETJEVE TË MEDIKAMENTEVE, BETALAKTAMË DHE SULFONAMIDIKË NË QUMËSHTIN E PRODHUAR NË REPUBLIKËN E KOSOVËS - Mr. Zana SULEJMANI

BETIMI I HIPOKRATIT

Betohem për emër të Apollos mjekut, të Asklepiusit dhe Higjeas e Panaceas, e për emër të të gjitha perëndive dhe perëndeshave, që do të jenë dëshmitarë të mij, se do ta përmbush sipas aftësive dhe gjykimit tim, këtë betim dhe detyrim; Se do ta trajtoj atë që më mësoi Artin e mjekësisë, si të jetë prindi im, dhe do të kaloj jetën time me të, dhe do ta ndihmoj në pastë nevojë; pasardhësit e tij do të jenë për mua vëllezër dhe atyre do t’ua mësoj Artin e mjekësisë, nëse do ta duan këtë gjë, pa pagesë dhe pa shpërblim; Se do ta ofroj diturinë që kam mbi Artin e mjekësisë si mësues dhe edukator i rregullt e përmes të gjitha mënyrave të tjera të të mësuarit, për bijtë e mij, për bijtë e mësuesve të mij, si edhe për nxënësit që pranohen me marrëveshje dhe nën betim sipas Ligjit të mjekësisë; por askujt tjetër ... Read more ...

hipokratit