Doktoratura

STUDIMI SONOGRAFIK I ARTERIEVE KAROTIDE EKSTRAKRANIALE NË PARANDALIMIN, MENAXHIMIN DHE DIAGNOZËN E SËMUNDJES CEREBROVASKULARE ISHEMIKE ATEROTROMBOTIKE - Z.Genc Struga

HYRJE
Neurosonografia gjithmonë e më shumë po gjen vend veçanërisht në zbulimet e pacientëve me sëmundje cerebrovaskulare, e cila ka rezolucion të lartë, jep një paraqitje të qartë të arterieve ekstrakraniale, strukturave e vazave cerebrale.1
Publikimi i Sir Thomas Willis i vitit 1664 me “Cerebri Anatome” tregon qartë funksionimin e trurit dhe furnizimin e tij me gjak e që nga ajo kohë ky network enësh gjaku në bazën e trurit u njoh si qarku Willis. Tre shekuj më pas nevoja për të kapur vazospazmën e bëri Rune Aaslid që të kryente të parën neurosonografi me qëllim që të shikonte fluksin në qarkun Willis.
Që nga ajo kohë mijëra mjekë janë përpjekur të mësojnë dopplerin transkranial por në ndryshim me ekon e arterieve karotide, aftësitë për ta kryer dhe për ta kuptuar dopplerin transkranial janë akoma të pakta. Megjithë zhvillimet në fushën e sonografisë si imazhi harmonik, color flow dhe agjentët e kontrastit; kockat e kafkës paraqesin vështirësi për kapjen e sinjalit dhe rezolucionin e pamjes duke bërë që doppleri transkranial, eko color duplex transkraniale por edhe ekzaminimi i karotideve të varen nga ai që e bën këtë ekzaminim.2
Një punë kërkimore në këtë fushë për nga rëndësia që ka, nuk do mund të realizohej pa një eksperience pune të mëparshme në këtë fushe tek ne. Kjo eksperiencë për fatin tim të mirë ka ekzistuar.
Për herë të parë ekzaminimet sonografike tek ne janë futur nga Dr.Adrian Osmanlliu në fillim të viteve 70-të me një aparaturë kineze e cila ishte krijuar për zbulimin e plasaritjeve të strukturave betonike. Kjo aparaturë u përdor në atë kohë për ekzaminimin intrakranial të hematomave subdurale e për të vlerësuar pozicionin median dhe strukturat paramediane.
Nga viti 1981 u aplikuan për herë të parë nga Prof.Mentor Petrela ekzaminimet doppler të arterieve supra-aortike dhe intrakraniale në studimin e pacientëve me sëmundje cerebrovaskulare. Kjo punë u çua më tutje nga Dr.Sh Llambi Leka me një rol të veçantë jo vetëm në përballimin e numrit të madh të ekzaminimeve që kërkohen për pacientët tanë me sëmundje cerebrovaskulare por edhe për pacientët e specialiteteve të tjera si kardiologji, ORL, mjekësi interne etj.
Ky punim është një përmbledhje e punës sime në këtë fushë prej më shume se 6 vitesh ku unë kam punuar me një numër të madh pacientësh. Këtu jam përfaqësuar me një numër pacientësh të konsideruar statistikisht të rëndësishëm e të realizuar në kushte të përshtatshme teknike.
Punimi përmbledh një numër prej mëse 500 pacientësh që unë kam ekzaminuar në laboratorin e ultrasonografisë, ku janë marrë parasysh rastet e veçanta dhe janë regjistruar me kujdes për të arritur në përfundime të pavarura e duke dhënë një kontribut modest në këtë fushë të rëndësishme të eksplorimeve funksionale neurologjike.
Unë dua të falënderoj këtu mësuesit e mi veçanërisht Dr.Llambi Leka për mësimdhënien e tij në hapat e mia të para dhe për mbështetjen e vazhdueshme gjatë punës sime.
Gjithashtu dua të falënderoj Prof.Mentor Petrela për këtë mundësi të madhe që më krijoi duke më mbikëqyrur këtë punim.

Për të shkarkuar të plotë materialin klikoni link-un e mëposhtëm:
STUDIMI SONOGRAFIK I ARTERIEVE KAROTIDE EKSTRAKRANIALE NË PARANDALIMIN, MENAXHIMIN DHE DIAGNOZËN E SËMUNDJES CEREBROVASKULARE ISHEMIKE ATEROTROMBOTIKE - Z.Genc Struga