Doktoratura

KRAHASIMI I METODAVE ME NJË DHE DY AKTE NË TRAJTIMIN E HIPOSPADIVE – PËRVOJA PESËMBËDHJETËVJEÇARE E KLINIKËS SË KIRURGJISË TË FËMIJËVE NË TIRANË - Z. Kastriot Haxhirexha

Hipospadia është  term, i cili nënkupton një defekt të lindur të organit gjenital mashkullor dhe rrjedh nga fjalët greke “hypo” që do të thotë poshtë dhe “spadion” e çare ose fisurë.1, 2 Ajo është anomalia më e shpeshtë e traktit urogjenital tek meshkujt, me një incidencë, e cila mund të shkojë deri në 8 raste në 1000 djem të lindur.

Zakonisht diagnostifikohet menjëherë pas lindjes së fëmijëve, kur edhe vërehet pozicionimi i meatusit të jashtëm uretral jo në pozitën normale në maje të glansit, po diku përgjatë sipërfaqes ventrale të organit seksual, edhe atë që nga glansi, korona, korpusi, junkcioni peno-skrotal ose perineumi.

Ky malpozicionim i këtillë i  meatusit të jashtëm uretral  sjell si pasojë paaftësinë e fëmijës që të urinojë normalisht sikurse fëmijët e tjerë, dhe ndonjëherë e detyron  atë që të urinojë ngjashëm  sikurse femrat. duke e vënë kështu në një pozitë të rëndë shoqërore. Në rastet kur kjo anomali shoqërohet me shkallë të lartë të kurvaturës atëherë ajo bëhet pengesë edhe në aktivitetin seksual të personit.

Kirurgjia e hipospadive, për shkak të kompleksitetit të vet, sot është  zhvilluar në një art dhe shkencë mirë të definuar. Ndaj nga mjeket kirurgë, të cilët merren me trajtimin e këtyre anomalive kërkohet një njohje e mirë dhe në detaje të disa prej teknikave bazë në trajtimin e këtyre anomalive  si dhe një kuantum i caktuar ndërhyrjesh çdo vit  dhe i  cili nuk duhet të  jetë më pak se 50, me qëllim të ruajtjes dhe perfeksionimit të aftësive të mjekut kirurg.

Për përzgjedhjen e teknikës kirurgjike, me të cilën do të bëhet korrigjimi i  hipospadive krahas eksperiencës së mjekut kirurg dhe familjarizimit të tij me teknika të veçanta rëndësi ka  pozita e meatusit uretral, prezenca ose jo e kordës, si dhe  kualiteti i  pjatës uretrale. Sa i përket klasifikimit të hipospadive dallojmë klasifikimin anatomik, i cili merr parasysh pozitën e meatusit uretral para ndërhyrjes kirurgjike, duke mos llogaritur gjatë kësaj prezencën ose jo të kordës.

Përkundër numrit të madh të teknikave të përshkruara kirurgjike, historia e kirurgjisë së hipospadive duket se nuk është asgjë më shumë se sa  një revizion në kontinuitet i  disa teknikave  me shumë pak risi përgjatë viteve. Një nga temat, e cila përsëritet kohë pas kohe, është edhe debati mes përparësive të metodave, me një akt ndaj atyre me dy akte në  korrigjimin e hipospadive.

Në fakt teknikat me dy akte janë përshkruar shumë  herët në historinë e korrigjimit të hipospadive. Më vonë ato braktisen si rezultat i zhvillimeve teknike, si përfshirja e pjatës uretrale në korrigjimin e hipospadive, si dhe përdorimi i  plikacionit dorzal për korrigjimin e kurvaturës,  të cilat mundësuan përdorimin  me sukses të teknikave me një akt për korrigjimin e shumicës së rasteve.  

Sot ekziston një interesim i  ripërtërirë për teknikat me dy akte, ngaqë duket se ato janë të afta të reduktojnë jo vetëm morbiditetin, por edhe të përmirësojnë aspektin kozmetik në korrigjimin e formave më të rënda të hipospadive.
Llogaritet se diku rreth 80 – 85 % të hipospadive janë të formave distale dhe pa kurvaturë të theksuar, të cilat forma shumë mirë mund të korrigjohen me teknikat me një akt.

Strategjia kirurgjike, e cila ndiqet gjatë korrigjimit të të gjitha formave të hipospadisë ka disa qëllime, si: ortoplastia (krijimi i  një fallusi të drejtë), uretroplastika, meatoplastika dhe në disa raste, edhe rikonstruktimi i  prepuciumit. Në të vërtetë, ndonëse shumica e hipospadive  munden me shumë sukses të trajtohen përmes teknikave me një akt, tek një numër i vogël pacientësh me hipospadi të formave proksimale kurvatura është aq e theksuar saqë për korrigjimin e saj kërkohet disekimi ose transeksioni i  pjatës uretrale dhe zëvendësimi i  një pjesë të saj me grafte mukozale. Përpos kësaj, tek format proksimale të hipospadive pjata uretrale mund të jetë në tërësinë e saj apo  pjesërisht  jo kualitative ose e pazhvilluar mirë, për ç’arsye nevojitet heqja e saj dhe zëvendësimi ose augmentimi me graftet mukozale. Në të gjitha këto raste korigjimi me sukses mund të kryhet vetëm përmes teknikave me dy akte.

Përkundrejt të arriturave të mëdha në teknologjinë e instrumenteve kirurgjike, si dhe përkujdesjen postoperatore të pacientëve korrigjimi i hipospadive mbetet një nga sfidat më të mëdha në kirurgjinë  pediatrike, prandaj këtu nuk ka vend  për kirurgë të rastit që merren me trajtimin e hipospadive, madje as edhe për format më të thjeshta distale. Secili mjek kirurg, i cili merret me trajtimin e këtyre patologjive duhet të njohë mirë principet bazë të disa prej  teknikave kryesore për korigjimin e hipospadive si dhe të ketë një gamë intervenimesh vjetore, të cilat do i mundësojnë atij ruajtjen dhe përsosjen e zhdërvjelltësive në trajtimin e tyre.

Sot krahas përmirësimit të aspektit funksional gjithnjë e më shumë rriten kërkesat për përmirësimin e rezultateve kozmetike, respektivisht tendenca që këtyre pacientëve t'u mundësohet të kenë një organ me aparencë sa më afër normales, pavarësisht nga shkalla e defektit origjinal.  

Në përfundim mund të themi se korrigjimi i hipospadive është një art delikat dhe mjeku kirurg duhet të zgjedh teknikën, e cila mund të japë rezultate më të mira dhe jo atë e cila referon për përqindje më të ulët të komplikimeve; pra, nuk duhet përdorur teknikë, e cila siguron një përqindje më të ulët të komplikimeve postoperatore, por që një fallus të shkurtër do e shkurtojë akoma më shumë.

Për të shkarkuar të plotë materialin klikoni link-un e mëposhtëm:
KRAHASIMI I METODAVE ME NJË DHE DY AKTE NË TRAJTIMIN E HIPOSPADIVE – PËRVOJA PESËMBËDHJETËVJEÇARE E KLINIKËS SË KIRURGJISË TË FËMIJËVE NË TIRANË